Qyteti

Së shpejti hapet Bulevardi Zogu I. Veliaj sqaron si do funksionojnë arteriet kryesore të qytetit

Së shpejti hapet Bulevardi Zogu I. Veliaj sqaron si do funksionojnë

Shumë shpejt Bulevardi “Zogu I” dhe Rruga e Durrësit, dy nga arteriet kryesore të hyrjes në qytetin e Tiranës, do të hapen. Pas ndërhyrjeve janë transformuar, me trotuare më të gjera për këmbësorët dhe rrugë të asfaltuara për automjetet.

Në një intervistë për Top Channel, Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se punimet në këto dy rrugë po bëhen brenda 6 muajve, kur zakonisht për ndërhyrje të tilla kërkohet deri në 2 vjet kohë.

“Ishin dy investime që duheshin bërë. Më kujtohet kur njerëzit thoshin kur do ndërrohen pllakat te “Zogu I”, kurse tani thonë pse po bëhen tani, duhet të bëhen më vonë. Nuk duhet të bëhemi të gjithë gjithologë. Një punë që tipikisht kërkon 2 vjet kohë, po e bëjmë në 6 muaj. Përpara fundit të tetorit ose fillimit të nëntorit, Bulevardi “Zogu I” do të hapet. Kemi bërë edhe një investim të rëndësishëm në Rrugën e Durrësit, ku ndodhet kolektori i madh i ujërave të Tiranës. Tirana duket sikur është e sheshtë, por në fakt, duke filluar nga Dajti, te Fresku, Rruga e Dibrës, qyteti ka një pendencë disa herë 2, disa herë 3 %. Kjo do të thotë se ujërat përfundojnë në hinkën e Rrugës “Dritan Hoxha”, ku kemi investuar që në vitin tonë të pare. Aty tubacionet e ujërave kanë diametër 120, po ashtu edhe deri te sheshi “Skëndërbej”. Kurse, Rruga e Durrësit, ku për herë të fundit është investuar me kanalizime që në kohë të fazhizmit, tubacionet ishin me diametër 80. Çfarë ndodh? Të gjithë banorëve të Rrugës së Durrësit u mbusheshin bodrumet dhe katet e para. Me të drejtë, kush jeton në Tufinë apo në Rrugën e “Dibrës” thotë, ç’më duhet mua, por ndërkohë kryetari i bashkisë përgjigjet për të gjithë”, tha Veliaj.

Ai sqaroi se Rruga e Durrësit do të shërbejë si hyrje në Tiranë, ndërsa rruga “Mine Peza” është sërish një rrugë me dy korsi si dalje.