Qyteti

Selita ka një qendër të re Shëndetësore, Veliaj: Askush nuk ka përse bën vara-vingo

Selita ka një qendër të re Shëndetësore, Veliaj: Askush

Kryebashkiaku Veliaj, Ministrja Manastirliu dhe deputetja e zonës Mimi Kodheli kanë inauguruar qendërn e re Shëndetësore të Selitës. Mjekët dhe Infermierët e kësaj qendre janë përzgjedhur në portal mbi bazën e meritën, siç Manastirliu sqaron.

Fjalën e tij në këtë takim e mbajti edhe Veliaj që tha: “Erdhi dita, kjo është dita që më në fund një lagje që është rritur jashtëzakonisht shumë dhe që e kemi ndjekur hap pas hapi, qëkur ka qenë pjesë e ish komunës, fillimisht u shpall një njësi, lagje më vete dhe tani më në fund po i vijnë shërbimet, jo vetëm zonës së Liqenit të Thatë, Kopshtit Botanik, Kopshti Zoologjik dhe gjithë pjesës buzë autostradës që ndan njësinë 5 me njësinë 13 por ky lajm i mirë është edhe për Astirin, edhe për Freskun. Kam qenë në Qesarakë, ku edhe atje po funksiononte perfekt dhe më në fund edhe në Lana-Bregas. Ofrohet i njëjti shërbim, si në qendër të Bllokut, ashtu edhe në periferi, pa qenë nevoja që ne të bëjmë atë eksodin tipik që kemi bërë historikisht, edhe për qendrat shëndetësore, kemi bërë edhe për gjendjen civile, kemi bërë këtë eksod edhe për pasaportën e kartën e identitetit, edhe për qendrat e votimit, një varavingo e panevojshme dhe më vjen mirë që falë insistimit të Ogertës dhe ekipit të saj të gocave, zonjave e zonjushave që punojnë me të, kemi mundësuar që edhe ky destinacion i fundit të bëhet një realitet.

Tani, mos ardhshi njerëzit kurrë dhe qofshin pa punë këtu megjithatë të gjithë e dimë që sidomos në kohët ku po jetojmë, në kontekstin e pandemisë, me ndryshimet klimaterike, me ndryshimet e motit do jetë nevoja dhe një pjesë e nevojës është edhe psikologjike. Vetëm ideja që e ke tek dera e shtëpisë, edhe në mëhallën dhe lagjen tënde këtë facilitet është një lajm i jashtëzakonshëm dhe sa ka të bëjë cilët njerëz janë në krye të punëve, kur ndodh hataja; kush është në krye të punëve tërmeti, kush është në krye të punëve kur ndodh pandemia.

Ne nuk i ndalim dot fatkeqësitë. Kemi në dorë se si sillemi. Po dëgjoja Ogertën që fliste dhe kur mendoj çfarë karikaturash kemi pasur ministra shëndetësie, them ndonjëherë Zoti nuk të jep të gjitha sfidat, të jep një sfidë por ama të jep edhe një mundësi ta zgjidhësh duke të vënë njerëzit dhe skuadrën e duhur në krye të punëve. Një skuadër që tashmë ka nisur sjelljen e vaksinës dhe do të vazhdojmë me të gjitha lotet dhe sigurisht do respektojmë edhe prioritetet, fillimisht mjekët dhe infermierët, të gjithë ne të tjerët do tregojmë pak durim e më pas gjyshërit, ballalarët e nënat tona dhe pastaj me radhë të gjithë moshat.

Jam shumë shumë krenar për ju, e vlerësoj jashtë mase. Siç e thashë, mos e dhëntë Zoti të keni shumë punë por për çdo nevojë, kjo qendër është këtu dhe mezi pres të kthehet në një histori suksesi të menaxhimit komunitar të gjithë sfidave që kemi me shëndetësinë. Mos na mallkoftë njeri me amnezi dhe me harresë! Duhet të kujtoj kohën kur edhe për gjënë më të vogël duhej të shkonim tek Spitali Universitar, për një çikatrice, një çarje dhe tillë ishte ndërtuar shëndetësia; Sot që kemi proliferuar të gjitha këto qendra dhe shërbime, besoj që jemi dita me natën, e mira s’ka fund. Ne do të vazhdojmë me shkollën e re , aty ku tani po çahet rruga tek parku Olimpik, shkolla e re Dritëro Agolli do jetë një shkollë që do ketë edhe parashkollorin dhe në momentin që është e gjithë asambleja e shërbimeve pranë komunitetit, them që kemi bërë një punë të paqme për të çuar ambicjet për më tej.

Ju uroj shëndet. Ne me Lindën do vazhdojmë komunikimin më tej dhe ndoshta përgatisim edhe një fletë-palosje që qytetarët të dinë saktësisht ku është qendra dhe besoj tani që do rregullohet Kopshti Botanik e Zoologjik do jetë një nga komunitetet më të mira për të jetuar. Ju uroj shëndet, me krahë të lehta!”