Qyteti

Shkrimtarja që la Londrën dhe Parisin, rrëfen se si në Tiranë gjeti paqen e munguar

Shkrimtarja që la Londrën dhe Parisin, rrëfen se si në

Sonia Bensoltane, një shkrimtare që një prej pasioneve të saj ka dhe udhëtimin, ka rrëfyer në një nga mediat e njohura britanike për historitë njerëzore, si gal-dem.com se pse braktisi Parisin dhe Londrën ku kishte jetuar më parë dhe zgjodhi Tiranën për të jetuar. Sonia tregon se zgjodhi pikërisht zonën e “Pazarit të ri” për të marrë një shtëpi me qera dhe ku iu rikthye edhe pasionit të gatimit me shumëllojshmërinë e produkteve që blinte në markatën e njohur.

Shkrimtarja rrëfen se në kryeqyetin shqiptar bënte një jetë sociale dhe praktikonte ecjen, pasi distancat e shkurtra nuk i bënin të domosdoshme mjetet e transportin publik që në metropolet e mëdha ajo i quan të lodhshme.

Lexo një pjesë të rrëfimit të saj edhe për udhëtimet me miqtë e rinj që ka njohur në vendin tonë:

Përpara se të vizitoja Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, unë kam jetuar në Londër dhe Paris, ku ndjeva që shpirti i këtyre qyteteve ishte acarues, i zhurmshëm dhe i ngutshëm. Ngutja dhe nxitimi që unë shijoja dikur në kryeqytetet britanike dhe franceze, kishte filluar të ndihej si barrë mbi shpatullat e mia dhe ishte bërë mëse e qartë që kisha nevojë të gjeja pak qetësi.

E kisha vizituar Shqipërinë me miqtë për pushime, përpara pandemisë. Nuk dinim shumë për kulturën shqiptare, por kurioziti na shtyu drejt këtij vendi të vogël ballkanik, i cili kufizohet me Greqinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Kur eca për herë të parë në rrugët e qeta të kryeqytetit, Tiranës, pata ndjesinë që koha kishte ndaluar dhe u mbusha me një ndjenjë paqeje. Me shëtitjet e rastësishme të njerëzve, apo pushimin në kafenetë - veranda e shumta, ambienti i paqtë më ftoi edhe mua të ngadalësoja hapat. Pak herë isha ndjerë kështu në Paris, apo në Londër, sepse në qytetet e mëdha na mungon koha. Ne nxitojmë! Ndërkohë në Tiranë, ende njerëzit nuk duket se shqetësohen shumë për kohën.

Kureshtare nga kjo mënyrë e ngadaltë jetese, ajo u ngulit te unë. Pasi kufizimet e udhëtimeve u hoqën, unë vendosa të zhvendosem në Tiranë me një mik të afërt. Nuk e kisha imagjinuar kurrë sesa shumë do ta ndryshonte mendësinë time për jetën.

Vendi që kishim marrë me qira ishte në zonën e “Pazarit i Ri”, që është i famshëm për markatën. Pazari i vjetër, që ishte markata origjinale, u shemb në vitin 1959. Për një kohë të gjatë, “Pazari i Ri” ishte vendi i vetëm ku tregtohej peshk i freskët, mish dhe perime. Sot, një çati moderne e qelqtë mbron tezgat dhe një numër kafenesh dhe restorantesh gjenden në ndërtesa piktoreske të rozta dhe të verdha që rrethojnë markatën. Me këtë markatë kaq pranë, ishte e lehtë të blije produkte lokale. Freskia e produkteve më futi në një rutinë të re të të bërit pazar. Fillova t’i dedikoja më shumë kohë gatimit, ndërsa zgjedhja e ingredientëve më inkurajonte të gatuaja shëndetshëm.

Nga vendndodhja e apartamentit tim në qendër të Tiranës, gjithçka ishte në një distancë ecjeje. Ndalova së përdoruri transportin publik, gjë që më largoi stresin, nxitimin dhe parehatinë e të qenit në autobusë dhe trena të tejmbushur.

Ndërsa ecja, fillova t’u kushtoja më shumë rëndësi gjërave që më rrethonin. Shihja njerëzit dhe dhe botën rreth meje, në vend që të merresha me telefonin. Vura re disa biznese të reja dhe art rruge që nuk i kisha vënë re më parë. U ndjeva më e afërt me natyrën në trotuaret me pemë të Tiranës. Gjëja e parë në mëngjes ishte ushtrimi i turpit. Ecja u bë njëfarë meditimi, pasi më ndihmonte të qartësoja mendimet përpara se të nisja ditën.

Qyteti dhe qetësia e tij e ngadaltë, patën gjithashtu efekt në jetën time sociale, duke më mësuar sesi të ndërtoja marrëdhënie më të forta. Në Shqipëri tipikisht i jepet më shumë kohë shoqërisë dhe aktiviteteve sociale.

Kur fillova të shoqërohesha me miqtë e mi shqiptarë, ne takoheshim nëpër kafene, porositnim ekspres dhe qëndronim aty me orë të tëra, duke humbur kështu gjurmët e kohës. Kafeja, nuk është thjesht një dozë kafeine për shqiptarët, është një mënyrë jetese. Me një filxhan të mirë kafeje njerëzit lidhen, mbyllin marrëveshje biznesi, ose thjesht shijojnë momentin. Shqiptarët nuk e kanë me nxitim kur të ftojnë për një kafe. Kjo nuk ndodh për shkak se ata nuk kanë asgjë për të bërë, por përkundrazi ndodh sepse ata i i vlerësojnë marrëdhëniet e tyre. Prandaj ata e kanë prioritet të gjejnë kohë për miqtë e tyre.

Eventet sociale shijohen më së shumti të dielave, dita e familjes, ushqimit dhe kohës cilësore në Shqipëri. Kujtimet më të bukura për mua ishin të dielat e kaluara në qytetin e vogël të Divjakës, ku miqtë e mi shqiptarë shkonin për të vizituar familjet e tyre, e ku më ftuan edhe mua të shkoj. Ideja ishte të njihnim anëtarët e familjes ndërsa shijonim ushqimin e shijshëm, tregonim histori dhe të dëgjonim disa këngë të vjetra shqiptare.

Tani që këtij udhëtimi i erdhi fundi, mund të them që kultura shqiptare më rilidhi me natyrën dhe sensin e komunitetit. Të ndjerit më afër këtyre gjërave të thjeshta, më bëri të rivlerësoj atë çfarë ishte më e rëndësishme për mua në këtë fazë të jetës. Pas kohës së kaluar në Shqipëri, e dija me siguri që nuk doja të jetoja më gjatë në qytetet e mëdha dhe nisa të kërkoj për një vend të ri që ta quaj shtëpi, e që ndan të njëjtat veti me mënyrën e qetë të jetesës së Tiranës. Kështu që përfundova e zhvendosur në një qytet të qetë të Meksikës, me këto prioritete të reja në mendje.