Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përpara banorëve të Njësisë 2 u shpreh se buxheti i ardhshëm do të fokusohet në rrugët, kanalizimet dhe rikonstruksionin e rrjetit të Ujësjellësit.
“E para, ka të bëjë me rehabilitimin e sheshit përpara Degës së Thesarit në Tiranë, që është rruga “Mustafa Lleshi”. E dyta është ndërtimi i rrugës “Arif Hasko” dhe degëzimet. E treta, rikonstruksioni i rrugës “Xhorxh Bush” dhe rehabilitimi i fasadave. Ndërkohë, kemi miratuar një rehabilitim të fasadave të rrugës “Luigj Gurakuqi” deri tek sheshi “Avni Rustemi”, me parkim dhe dy kate nëntokë. Bëhet fjalë për rrugën nga Partizani i Panjohur deri te Pazari i Ri.
Do rregullojmë të gjitha fasadat, të gjitha dyqanet dhe nuk do ketë fare dallim kur kalon nga sheshi Skënderbej deri tek Pazari i Ri, duke e kthyer të gjithën në një zonë me impakt ekonomik, se shumica e bizneseve të pazarit nga sheshi, praktikisht bëhen në atë rrugë. I gjithë sheshi Avni Rustemi do kthehet në parkim nëntokësor,” u shpreh Veliaj.