Qyteti

Tirana dhe Taranto marrëveshje binjakëzimi: Më shumë projekte sportive të përbashkëta

Tirana dhe Taranto marrëveshje binjakëzimi: Më shumë

Tirana dhe qyteti italian i Tarantos nënshkruan një marrëveshje binjakëzimi për bashkëpunim në fushat e sportit dhe rinisë. Kryetari i Bashkisë së Tarantos, Rinaldo Melucci u prit nga kryebashkiaku Erion Veliaj për të vendosur këtë bashkëpunim të ri mes dy qyteteve. Veliaj e vuri theksin te fakti se Tirana, pas vitit të suksesshëm si Kryqyteti Europian i Rinisë, do të vijojë vitin e ardhshëm me titullin e Qytetit Europian të Sportit dhe tha se bashkëpunimi me Taranton, qyteti mikpritës i Lojërave Mesdhetare 2026, është mëse i vyer.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që kemi një delegacion nga Taranto, të cilët janë në Tiranë për të konkretizuar binjakëzimin mes dy qyteteve tona. Vitin e ardhshëm Tirana do të jetë “Qyteti Europian i Sportit”, ndërsa në vitin 2026 Taranto do të presë “Lojërat Mesdhetare”. Unë besoj se kemi jo vetëm dashamirësinë e dy kryetarëve, por edhe një mundësi të shkëlqyer për të bashkëpunuar, sidomos në fushën e sportit”, u shpreh Veliaj.

Tirana dhe Taranto marrëveshje binjakëzimi: Më shumë

Nga ana e tij kryebashkiaku Rinaldo Melucci tha se arsyeja përse Taranto kërkoi këtë bashkëpunim ishte pikërisht fakti se Tirana po njeh një zhvillim të vrullshëm.

“Jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu dhe ju falenderojmë për mikpritjen! Teksa vinim nga aeroporti, zbuluam një qytet në zhvillim e sipër, gjë për të cilën ishim në dijeni, por edhe sepse në thelb ishte arsyeja pse kërkuam këtë binjakëzim me Tiranën - një qytet i ri, ku po investohet shumë për modernizimin, për zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe për të rinjtë. Jo më kot, donim ta vizitonim pikërisht në fund të këtij viti, kur Tirana është ‘Kryeqyteti Europian i Rinisë’. Jemi të lumtur sepse edhe Taranto po ndjek pak a shumë një rrugëtim të tillë. Është një qytet industrial, që siç e dini ka “plagët” e tij, por që po tenton drejt modernizimit. Do të jetë mikpritës i Lojërave Mesdhetare në 2026. Ka shumë ndërmarrje që investojnë në Shqipëri dhe shpresojmë që shumë të rinj shqiptarë të mund të trajnohen dhe të ushtrojnë aftësitë e tyre brenda asaj çka është sistemi ekonomik i rajonit të Pulias, e cila ruan marrëdhënie të forta dypalëshe me Shqipërinë,” u shpreh Melucci.