Qyteti

Tirana ka një hapësirë të veçantë për të rinjtë që vijnë nga Kosova

Tirana ka një hapësirë të veçantë për

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti ditën e sotme kryetarin e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Kosovës, Adnan Rrustemi, i cili së bashku me zv/kryetarin dhe anëtarët e këtij Komisioni po kryejnë një vizitë pune në vendin tonë. Veliaj u shpreh i lumtur për bashkëpunimin në nivel parlamentar dhe lokal mes dy vendeve.

“Jam shumë i lumtur që Adnani, Kryetari i Komisionit të Ligjeve të Parlamentit të Kosovës dhe miqtë e tjerë që përfaqësojnë krejt spektrin politik të Kosovës, janë në Tiranë. Mezi pres që këtë eksperiencë të mirë ta transferojmë edhe në nivel lokal, ku edhe legjislatorët tanë, pra anëtarët e Këshillave Bashkiakë, të mësojnë nga njëri-tjetri. Ka shumë gjëra që në Kosovë janë bërë shumë mirë, ka shumë gjëra që këtu janë bërë shumë mire, dhe nëse secili mëson, atëherë rritemi bashkë edhe jemi më të fortë,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi së ky vit është një shans për Shqipërinë, por dhe Kosovën, për të prezantuar në Europë vlerat e kombit tonë.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që ne jemi Kryeqyteti Evropian i Rinisë, por unë besoj se Tirana sot, e cila ka 144 kombësi që jetojnë në qytet, ka sidomos një hapësirë të veçantë në zemrën e saj për të rinjtë që vijnë nga Kosova. Do të doja që kjo të ishte skena e përbashkët, platforma jonë e përbashkët, spotlight-i ynë i përbashkët, sepse besoj se na është dhënë një shans historik për të treguar që djemtë dhe vajzat e Shqipërisë dhe të Kosovës janë po aq të aftë, po aq të artikuluar, po aq punëtorë dhe po aq të talentuar sa edhe djemtë dhe vajzat kudo në Europë,” tha ndër të tjera ai.

Veliaj kishte dhe një ftesë për të gjithë të rinjtë që duan të jenë pjesë e përmirësimit të imazhit të secilit prej dy vendeve tona të bëhen pjesë e mijëra aktiviteteve të Tiranës këtë vit.

“Do të doja që këtë ftesë t’ua drejtoj të gjithë të rinjve të Kosovës, që ta trajtojnë Tiranën si skenën e tyre dhe nëse ka ide në secilën prej këtyre fushave, që mund t’i promovojmë dhe t’i themi krejt Europës, përtej paragjykimeve pse Kosova nuk po merr vizat, këta janë djemtë dhe vajzat tanë dhe shikoni çfarë talenti! Duken si ju, flasin si ju, kanë ide dhe punojnë njësoj si të rinjtë e tjerë të Europës dhe besoj se vendit tonë, kombit tonë si në Shqipëri edhe në Kosovë do t’i bënte shumë punë ky ndryshim i imazhit dhe ky përmirësim i imazhit,” e përfundoi Veliaj fjalën e tij.

“Është kënaqësi që jemi në këtë vizitë dy ditore në spektrin gjeopolitik nga Kosova për të shkëmbyer përvoja, për të marrë mësimet më të mira nga Republika e Shqipërisë, por edhe për të harmonizuar legjislacionin, projektet, politikat gjithnjë në interes të përbashkët. Është kënaqësi sa herë që jemi në Tiranë, vërtetë ndihemi si në shtëpinë tonë, por duhet të vazhdojmë t’i thellojmë këto marrëdhënie, gjithnjë duke lartësuar projektet, politikat, vlerat e përbashkëta duke ecur në drejtim të progresit të përbashkët të dy vendeve tona,” u shpreh kryetari i Komisionit të ligjeve të Kuvendit të Kosovës Adnan Rrustemi.