Qyteti

Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë/ Veliaj takim me taksistët: Hallkë e rëndësishme për pritjen e të huajve që do vizitojnë vendin

Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë/ Veliaj takim me taksistët:

Në vijim të takimeve për Tiranën Kryeqyteti Evropian i Rinisë, kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një bisedë me përfaqësues të kompanive të shërbimit Taksi, me të cilët foli për rëndësinë që ka ky titull dhe njëkohësisht për të kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre, si hallka e parë që kanë kontakt direkt me të rinjtë e huaj që do të vizitojnë Tiranën gjatë këtij viti.

“Ne kemi sot mbi 1000 taksistë në Tiranë, të cilët janë media më e fuqishme sepse ata thonë troç lajmin e ditës. Taksisti ka kontaktin e parë edhe me të rinjtë e huaj që do të vizitojnë Tiranën këtë vit. Përveçse trajnimit të shoferëve të taksive, secili prej tyre duhet të ketë edhe një listë me aktivitetet e muajit që do të zhvillohen për titullin “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë”, ashtu sikurse në avion do të vendosim revistën mujore me një kalendar, ku secili teksa po udhëton të informohet mbi mundësitë që do ofrojë Tirana”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se rreth gjysma e flotave të taksive në vend tashmë janë elektrike, por shprehu bindjen se viti Evropian i Rinisë do bëjë që kjo flotë të rritet akoma më shumë.

“Gjysma e flotës së taksive në Tiranë tanimë është elektrike dhe jam i bindur që deri në fund të 2022, ku ne jemi Kryeqyteti Evropian i Rinisë, dhe duke qenë se të rinjtë janë me ekologjikë e më të dëshiruar pas progresit, më të interesuar për të lëvizur me mjete të pastra, besoj se do e kalojmë mbi 50% të një flote elektrike në qytetin e Tiranës”, tha Veliaj.

Tiranapost.al