Qyteti

Tirana zgjidhet Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, por çfarë do të thotë kjo

Tirana zgjidhet Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, por

Tirana u shpall dje Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut 2025. Viti 2024 do të jetë viti i përgatitjeve për të qenë më pas gati për të hyrë në 2025-ën.

43 shtete kanë votuar unanimisht që titullin ta marrë Tirana. Në votim kanë marrë pjesë edhe 4 mijë organizata.

Po ç`do të thotë ky titull? Kryebashkiaku Veliaj e shpjegon kështu:

“Tirana duhet të shërbejë si një urë e Mesdheut, misioni që na është ngarkuar është jo vetëm të jetë një vit i madh me këngë e valle në Tiranë, por ky vit do jetë një mundësi për ta kthyer Tiranën në një sofër, në një agora, në një piacë, një skenë mesdhetare për të lidhur njerëzit", u shpreh Veliaj.

Tirana zgjidhet Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut, por

Veliaj shtoi se ka ardhur koha për të rikthyer Bienalen e Tiranës.

"Komuniteti i Kulturës sot mund të ketë aprovuar mbi 100 projekte në kulturë dhe në sport. Ne duam që të vazhdojmë në këtë frymë. Ky qytet e meriton këtë titull, këtu po rrisim familjet tona, këtu po jetojmë jetët tona, këtu kemi parë shumë ndryshime, këtu jo çdo gjë është perfekte, por kemi pasur mundësi të ndryshojmë realitete të vogla. Formula e suksesit e qytetit tonë është vetëm kur mbështesim njëri tjetrin, vetëm kur i themi njëri-tjetrit bravo të qoftë, ec përpara, jemi me ty, do të brohorasim për çdo Opera, për çdo shfaqje, për çdo film, për çdo teatër, për çdo ekspozitë, për çdo art digjital dhe për çdo koncert të mundshëm, për t’i dhënë këtij qyteti jetë, për të prodhuar ekonomi dhe sigurisht, për të rritur imazhin e vendit tonë dhe të njerëzve tanë. Ju falënderoj të gjithëve nga zemra", tha Veliaj.