Qyteti

Transformimi i Sharrës, Veliaj: Basha po vajton fitimin e humbur, plan-biznesi i Lulit dhe i kunatit do i kushtonte Tiranës 30% më shumë

Transformimi i Sharrës, Veliaj: Basha po vajton fitimin e humbur,

Nga Sharra, ku inspektoi transformimin që ka pësuar vendgrumbullimi i mbetjeve, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se halli i Lulzim Bashës për inceneratorin është pagesa që ai donte t’ia jepte një kompanie kur ishte kryetar bashkie i Tiranës me një çmim disa herë më të shtrenjtë. Veliaj tha se Lulzim Basha në 2013 firmosi planin për t’ia dhënë inceneratorin një kompanie tjetër, që do i kushtonte shumë herë më shtrenjtë Tiranës.

“Kur kryetar bashkie ishte Lulzim Basha, i dha OK një plani i cili ishte shumë ndryshe nga ky plan. Ishte një plan i cili propozonte një pagesë 37 euro/ton. Për çdo ton, qyteti do paguante 37 euro, ndërkohë që qysh në fillim, qyteti do paguante 34.6 milionë euro kompanisë. Ne jo vetëm që nuk e paguajmë këtë 34.6 milionë euro, por ne, në vend që të paguajmë 37 euro, në fakt paguajmë 29 euro/ton. Në qoftë se në Europë shkon diku te 140-150 maksimumi, në Shqipëri ne kemi sot çmimin më të ulët me 29 euro. E kemi 30% më të ulët se çmimi që kishte përgatitur Lulzim Basha, i cili pasi i jep OK këtij propozimi, e çon në Ministrinë e Financave me firmën e vet. Lulzim Basha do paguante për ton, në bashkinë dhe në qeverinë e tij, 8 euro më shumë. 1 mijë ton në ditë, 8 mijë euro në ditë më shumë. 365 ditë, 3 milionë euro më shumë në vit”, sqaroi Veliaj.

Ai tha se Lulzim Basha po vajton fitimin e humbur dhe nuk e ka hallin te qyteti, por tek gjoba që i ka vënë kompanisë.

“Luli nuk ka hall pse qyteti po kursen 3 milionë euro, Luli ka hall se kishte planifikuar t’i merrte ai këto 3 milionë euro, se qartazi ajo punë mund të bëhet me më pak, me 30% më pak. Qyteti i Tiranës sot ka kursyer 30% nga propozimi i Lulzim Bashës. Jo vetëm 30% çdo ditë, por edhe 34.7 milionë që Lul Basha do ta paguante që në fillim fare. Ndaj, unë e kuptoj që ai vajton më shumë fitimin e humbur të tij, sesa kursimet e qytetit. Sigurisht, në kohën kur Lulzim Basha dhe kunati i tij kishin përgatitur të gjithë skemën sesi do t’i faturonin qyteti 30% më shumë, pyetja është: kur kjo punë mund të bëhet me 30% më pak, pse Basha donte të faturonte 30% më shumë? Që përkthehet në 3 milionë euro në vit më shumë për qytetin dhe që përkthehet në 20 vite, në 60 milionë euro dhe në 30 vite, në 90 milionë euro. Ky ishte plan-biznesi i Lul Bashës, që ai dhe kunati i tij në kurriz të qytetit, do ta bënte 30% më shumë”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë iu drejtua me një mesazh edhe demokratëve, duke nënvizuar se PD-ja sot nuk përfaqëson shpresën, por partinë e shantazhit. Ai theksoi se sulmet e Lulzim Bashës dhe të PD nuk janë gjë tjetër veçse gjoba ndaj bizneseve, duke i kërcënuar me protesta.

“Nëse kjo kompani do paguante gjobën që e paguajnë shumë kompani te kunati, nuk do sulmohej, siç sulmohet përditë. Sot konflikti i vërtetë është se kjo kompani refuzon të paguajë gjobën, sepse mund ta kishte mbyllur fare mire, siç u mbyll historia e Rrugës së Kombit. Pyetja për gjithë demokratët është: pse nuk protestohet sot për Rrugën e Kombit? Çfarë mori kunati që të mbyllej protesta me një fishkëllimë? Pse nuk protestohet më sot për qendrat komerciale? U tha që gjatë pandemisë do shkojmë t’u vërsulemi Qendrave Tregtare. Sa vila mori në Vala Mar, në Gjirin e Lalzit, Lul Basha dhe familja e tij, që të mos përmenden më qendrat komerciale në Tiranë? U përmendën disa oligarkë që kanë vilat në Lundër. Sa vila mori Basha në Lundër që të mos vazhdojë të përmendë më oligarkët, kriminelët, ata që merrnin gjithë këto afera korruptive në Lundër dhe pse sot ata nuk janë më oligarkë? Pse u ndërpre protesta e Astirit? Sa vlente makina që mori Lul Basha nga kontraktori i Astirit që ta ndërpriste me një fishkëllimë, me një telefonatë gjithë protestën e Astirit. Pse u ndërpre protesta e Bulevardi i Ri, ata premtuan që do shtriheshin aty, do dilnin para fadromave, te Bulevardi, te këndi i lodrave, te Diga e Liqenit”, deklaroi Veliaj.