Qyteti

Transformohet një nga blloqet e banimit në Sauk, zonës do t’i shtohen dhe dy shkolla të reja

Transformohet një nga blloqet e banimit në Sauk, zonës do

Blloku i banimit në Rr. “Enver Preza”, në Sauk, nga sot ka ndryshuar pamje, pasi sapo ka përfunduar investimin në 7 rrugë: “Enver Preza”, “Abaz Fejzo”, “Andon Lufi-1”, “Andon Lufi-2”, “Besim Baxhaku”, “Lame Kreco” dhe “Ethem Gjinushi”, duke transformuar krejt pamjen e zonës.

Transformohet një nga blloqet e banimit në Sauk, zonës do

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se ky është një premtim i mbajtur për banorët, ndërsa siguroi se ndërhyrjet e bashkisë do të vijojnë me të njëjtën shpeshtësi edhe gjatë verës, kur njerëzit janë me pushime. Sipas tij, korriku dhe gushti janë muaj intensivë pune.

Transformohet një nga blloqet e banimit në Sauk, zonës do

“Më vjen mirë që kemi përfunduar 7 rrugë në 7 muaj, dhe kjo 7 herë 7 jonë është më produktive sepse ka një rezultat konkret, sesa 7 herë 7 e rrenave. Më vjen mirë që sportiviteti me të cilin merreshin dikur premtimet elektorale, është një përrallë nga e kaluara. Nëse socialistët thonë se Tirana do të bëhet me 24 orë ujë, sot më shumë se gjysma e qytetit ka 24 orë ujë. Nëse themi që do të vëmë dorë edhe në fshat, kjo bëhet realitet. Nëse themi se në 7 muaj do të bëhen këto 7 rrugë, e mbajmë fjalën”, tha Veliaj.

Lajmi tjetër i mirë për banorët e Saukut është edhe ndërtimi i dy shkollave të reja, një 9-vjeçare, që përfshin edhe parashkollorin, si dhe një shkollë e mesme. Veliaj siguroi se shkollat e reja në Sauk do të kenë të njëjtat standarde si ato në qendër të qytetit.

Transformohet një nga blloqet e banimit në Sauk, zonës do

“Dua të falenderoj Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm për dakordësinë për të shkëmbyer një pronë të Bashkisë së Tiranës me një pronë të Akademisë së Sigurisë. Kjo na siguron që tek ish-spitali i vjetër i Arabit, si dhe tokën që kemi në anën tjetër, t’i lidhim me një urë për dy shkolla: një 9-vjeçare dhe një të mesme, të dyja të reja, për t’u siguruar që e gjithë Njësia 2, zona e Saukut, pra gjithë zona mbi Varrezat e Dëshmorëve, të ketë një pol arsimor. Nga parashkollori, pra nga mosha 5 vjeç, deri në moshën 18 vjeç, nuk ke nevojë të përplasesh nëpër furgonë dhe të harxhosh orë të tëra në rrugë për t’u shkolluar”, shtoi ai.

Ndërkaq, krahas rrugëve të reja, zona e Saukut ka njohur edhe një përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me ujë të pijshëm. Furnizimi në këtë zonë ka kaluar nga 3-4 orë në ditë, në 12-13 orë në ditë.

Investimi i Bashkisë së Tiranës në këtë zonë përfshin rrjetin e kanalizimeve, trotuare, ndriçim, hapësira çlodhëse, si dhe një kënd të ri lojërash.