Qyteti

Veliaj: Familjet e para te ‘5 Maji’ hyjnë në shtëpitë e reja brenda Vitit të Ri. Politika të mos bllokojë qytetin, pasi do humbasë

Veliaj: Familjet e para te ‘5 Maji’ hyjnë në

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj siguroi banorët e lagjes “5 Maji” dhe ata në Kombinat se është vetëm çështje kohe sa të marrin çelësat e banesave të tyre të reja.

Nga salla e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Veliaj bëri të ditur se brenda vitit 100 familjet e para që kanë pranuar që në fillim të firmosin kontratat do të hyjnë në banesat e tyre të reja, që kanë një vlerë shumë më të madhe se sa e vjetra.

“Formula thotë sa metra ke aq do marrësh. Me 200 metra kasolle, do marrësh 200 metra firmato të Stefano Boerit, 200 metra të Casamontit, për të cilën njerëzit janë gati të paguajnë miliona dhe për qyteza që do të jenë të dyja buzë Unazës së Madhe. Ajo në Kombinat do te jetë tek Agjencia që e lidh direkt me Astirin dhe me bulevardin ri Migjeni që kemi bërë. Për 100 familjet e para që bashkëpunuan do marrin shtëpitë e tyre përpara Vitit të Ri dhe ndërkohë kemi filluar të punojmë dhe me infrastrukturën me 3 pallatet e para në Kombinat. Do jetë e gjitha një lagje e konceptuar me të gjitha shërbimet. Siç po ndodh te “5 maji”, ftesa është edhe për të gjithë miqtë tanë në Kombinat, firmosni kontratën që të merrni atë që ju takon, as më shumë e as më pak”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u bëri thirrje përfaqësuesve të opozitës që të mos bllokojnë projektet e qytetit për të bërë politikë, pasi do të humbasin.

“Ajo që ndodh gjithmonë me këtë bashki dhe qytet, këtu s’të lë njeri të punosh. E mësuam që te këndi i lodrave me Bujar Nishanin dhe atë tjetrin me pistoletë; e mësuam te Astiri, e pamë te Bulevardi i Ri, e pamë te Bregu i Lumit. U kemi bërë shtëpi të majtëve dhe të djathtëve, madje pjesa më e madhe kanë qenë kryetarët e PD të atyre lagjeve. Kur dikush fut politikën në punët e qytetit, duhet të ketë parasysh disa gjëra. Së pari, që do humbasë! Se nuk më rezulton që në 6 vite të jemi kthyer pas. Së dyti, nuk do humbasin vetëm kauzën, por do humbasin edhe karrierën. Ku e kemi sot Presidentin që protestonte për këndin e lojërave? Po deputetin që dilte me pistoletë? Po atë deputetin që digjte goma te Astiri? I ka shtrydh dhe Luli është 1-sh për këtë. I ka përdorur si leckë dhe i ka hedhur. E treta, ne do i bëjmë punët që kemi për të bërë sepse një janë të drejta, nuk e kemi zakon të dorëzohemi. Për sa kohë që këto janë argumentet, përzierja e politikës te Bregu i Lumit, tek njësia 4 dhe 8 , tek zona e 5 Majit apo në Kombinat, do të jetë fitore e projektit dhe sigurisht humbje e tyre”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se deri më tani Bashkia ka dhënë 6,061 pagesa cash DS1-DS3. Paralelisht është nënshkruar marrëveshja për 750 banesa banesa individuale, ku nga këto është lidhur kontrata për rindërtimin e 599 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër do jepen lekët cash dhe do rindërtohen nga vetë familjet. Lidhur me pallatet, Veliaj nënvizoi se mbas ekspertizës së thelluar për 176 pallate, për 82 objekte është vendosur për demolimin e tyre, 40 pallate janë për rikonstruksion dhe 54 pallate janë ende në proces diskutimi nga ekspertët. Aktualisht në Tiranë 2,740 familje përfitojnë pagesën e bonusit të qirasë.

Tiranapost.al