Qyteti

Veliaj: Ja projektet e transformimit të Tiranës në mandatin e tretë të Edi Ramës

Veliaj: Ja projektet e transformimit të Tiranës në mandatin e

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, shpalosi disa nga projektet kryesore të planifikuara për 4-vjeçarin e ardhshëm. I ftuar në emisionin “Përballë”, në TVSH, Veliaj tha se me projektet si ai i Piramidës, Teatrit të ri, Bulevardi i Ri dhe përfundimi i Unazës, kryeqyteti do të marrë frymë lirisht nga trafiku dhe do të shkojë drejt një orientimi të ri teknologjik.

“Ajo që do të bëjmë në mandatin e tretë për Tiranën, së pari, fillojmë javën tjetër investimin e Piramidës që do të vazhdojë për dy-tre vite, një projekt madhor. Loti i tretë i Astirit, pra i kemi hapur të tre frontet. Duam gjithashtu, brenda këtij viti, të fillojmë themelet e Teatrit të ri, që do jetë disa herë më i madh dhe i projektuar që në fillim për teatër, jo një sajesë e papërfunduar që më pas kthehet në një gjysmagjel nostalgjik,” u shpreh Veliaj.

Sa i përket Bulevardit të ri dhe Unazës, kryebashkiaku tha se do t’i japin fund një epoke dhe rezultatet do të kulmojnë brenda 4-5 vitesh.

“Në mandatin e tretë të Edi Ramës duam që të gjithë zonën e Bulevardit të Ri ta kthejmë në një lagje ku planifikojmë strehimin e 120 mijë banorëve, pra totali i banorëve që vjen në Tiranë në një 5-vjeçar. Sot që flasim, kemi 3-4 kompani teknologjike qe po transferohen nga Kina dhe Tirana mund të bëjë një kërcim shumë cilësor nga call-center tek data center. Ajo që ne presim është që në mandatin e tretë të Edi Ramës të shpëtojë përfundimisht trafiku në Tiranë me Unazën që tani mbyllet nga Tufina, ku takohet me Rrugën e Arbrit, deri tek sheshi Shqiponja që është segmenti final dhe mos ta marrë njeri më sysh, do e mbyllim për katër vjet,” u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës i bëri thirrje kryedemokratit Lulzim Basha, por dhe Presidentit Ilir Meta të mos bëhen më pengesë për projektet e zhvillimit të kryeqytetit.

“Në rastin e Unazës, kemi humbur tre vite me atë djegjen e gomave dhe me bllokimin dhe them që ka ardhur koha të bëjmë një apel vëllazëror, edhe me vëllezërit e motrat që mund të jenë të bindjeve të tjera politike. Në finale, projektet si këndet e lojrave, shkollat, çerdhet, kopshtet, Pazari, Kalaja, liqeni, sheshi i gëzojmë të gjithë dhe do të doja shumë që ky mandat i tretë i Edi Ramës të mos ishte një mandat ku për inat të vjehrrës të fle me mullixhiun, pra për inat të një historie politike dhe të një përçarje që është mbjellë kaq vite, ne të bllokojmë rrugët ku kalojmë të gjithë të majtë e të djathtë, i shijojmë të gjithë të majtë e të djathtë, shkollat ku i çojnë të gjithë fëmijët, të majtë e të djathtë, ndaj pres shumë që në këtë mandat të tretë Edi Ramës, le të lëmë të punojë atë që do të punojë e më pas kur ta ketë radhën dikush tjetër të shohim çfarë di të bëjë. Unë nuk besoj që Presidenti i Republikës që protestonte për lodrat është inxhinier ndërtimi, pra vajtja e Presidentit me makinë dhe entourage në një zonë pedonale, vajtja e deputetëve me pistoletë aty është një gjë që nuk është në tagrin e tyre,” tha Veliaj.