Qyteti

Veliaj: Luli dezertoi, braktisi Parlamentin dhe Bashkinë, kurse LSI do na sjellë si deputetë të larguarit nga Vetting-u

Veliaj: Luli dezertoi, braktisi Parlamentin dhe Bashkinë, kurse LSI do na

Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte sot në Njësinë 1, ku u takua me veteranë dhe ish-ushtarakë, me të cilët ndau lajmin e mirë se u zgjidh edhe ngërçi i fundit që kishte të bënte me pensionet e tyre. Duke folur me gjuhën e ushtarakëve, Veliaj theksoi se Shqipërisë nuk i duhen dezertues, por njerëz që i bëjnë ballë çdo lufte, siç ishte tërmeti dhe pandemia.

“Në ushtri, kur ikën nga lufta quhesh dezertor. Reparti i deputeteve është Parlamenti, reparti i kryetarëve të bashkisë është bashkia, reparti i këshilltarëve bashkiakë është Këshilli Bashkiak. Luli kishte 42 oficerë në repartin e parë, dezertuan. Kishte 25 kryetarë bashkie, dezertuan. Kishte 1200 këshilltarë bashkiakë, dezertuan. Më thoni një njeri që dezerton tre herë dhe tani kërkon të drejtojë prapë një kompani?”, vijoi Veliaj.

Ndërsa, LSI-ja, tha ai, po sjell si kandidatë për deputetë njerëz të larguar nga Reforma në Drejtësi. Veliaj ironizoi Presidentin Meta, kur tha se nuk ka mbetur njeri pa u bërë “Nder i Kombit”.

“Reforma në Drejtësi largoi një tufë me gjyqtarë e prokurorë, të cilët tani LSI po na i sjell si kandidatë për deputetë. Se nëse Luli është gjumash, këta të LSI-së janë komplet të falimentuar moralisht. Nuk kanë lënë njeri pa bërë Nder i Kombit. Takova disa aktorë që më thanë se u vjen turp të quhen “Nder i Kombit”, kur shohin se kush po i merr këto tituj. Me sa duket, titulli Nder i Kombit ka pësuar një inflacion të jashtëzakonshëm, është bërë si majdanozi, 5 lekë tufa”, përfundoi Veliaj.