Qyteti

Veliaj me të rinjtë: Dallimi mes së majtës dhe së djathtës është se ne mendojmë për njerëzit

Veliaj me të rinjtë: Dallimi mes së majtës dhe së

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka nisur një tur takimesh në të gjitha njësitë administrative të kryeqytetit dhe ndalesa e tij e parë ka qenë Njësia 1, në një bashkëbisedim me pyetje-përgjigje me të rinjtë. I shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Eduart Shalsi, Veliaj vuri në dukje se lufta që po zhvillohet në Ukrainë ka shkaktuar rritjen e çmimeve kudo, por qeveria dhe bashkia po marrin vendimet e duhura për të lehtësuar qytetarët, sidomos studentët dhe njerëzit në nevojë.

Sipas tij, në këtë kohë kur e gjithë bota është në krizë, për shkak të luftës, fokusi duhet të jetë te grupet më vurnerabël. “Lufta nuk është në dorën tone, por ne kemi në dorë të ulim koston e konvikteve për studentët apo t’i japim abonetë falas, siç kemi bërë tashmë. Ne kemi në dorë të ndihmojmë njëri-tjetrin. Nëse ne, edhe kur shpenzojmë për familjet tona, i blejmë produktet shqiptare, sidomos produktet bujqësore, të cilat nuk janë ndikuar nga çmimet e luftës, apo e bëjmë pazarin te dyqani i lagjes, është një mënyrë për të thënë që edhe këtë krizë do e kalojmë bashkë”, tha Veliaj.

Ai theksoi se këtu dallon edhe kush është i majtë dhe kush është i djathtë. “Kur tërmeti prishi shtëpitë e shumë familjeve, e djathta do të thoshte ky është treg i lirë, jemi në kapitalizëm, shko te kompania e sigurimeve dhe ajo ta ndërton shtëpinë. Por a thuhet kjo në një vend që, vërtet është në kapitalizëm, por kur 97% e shtëpive janë të pasiguruara sepse kështu është tradita? Prandaj, e majta ka një përgjigje tjetër. Thotë: Do jetë shteti ai që do të rregullojë shtëpitë. Ky është dallimi mes së majtës dhe së djathtës. E djathta do të thoshte: më vjen keq, është rritur çmimi i energjisë për bizneset, janë rritur çmimet e ushqimeve për shumë produkte, sidomos ato që kanë lidhje dhe prodhohen në Rusi apo Ukrainë, është rritur edhe ç?mimi i naftës dhe gazit, që nuk varet nga ne. Kurse e majta thotë: Kjo ndërmarrje vërtet funksionon me rregullat e privatit, por aksioner është bashkia. Në vend të justifikimit, gjejmë një zgjidhje. Aty ku bashkia e ka në dorë, zgjidhja që bëmë ishte të subvencionojmë 50-75% të kostos së çdo konvikti. E djathta mendon se gjërat duhet t’i zgjidhë dora e fshehtë e tregut: pra, meqë kemi një rritje të naftës, do rritet edhe çmimi i abonesë së autobusit. Por, e majta thotë: Do të japim Kartën e Studentit dhe abonenë do ta bëjmë falas”, sqaroi Veliaj.