Qyteti

Veliaj: Ndërtimi i pallateve në Kombinat nis në nëntor, çdo familje do marrë hipotekën në dorë

Veliaj: Ndërtimi i pallateve në Kombinat nis në nëntor,

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka konsideruar kriminale përdorimin e tragjedisë së tërmetit të 26 Nëntorit për disa vota nga LSI-ja dhe PD-ja. Duke iu referuar Kombinatit, ku Veliaj tha se puna për ndërtimin e pallatave të reja do të nisë në muajin nëntor, ndërkohë që te lagjja “5 Maji” rindërtimi nis javën tjetër, siguroi të gjithë të prekurit nga tërmeti se menjëherë sapo apartamentet e reja të jenë gati, çdo familje do ketë në dorë edhe hipotekën përkatëse.

“Me ndërtimin e pallatit secili do marrë hipotekën, në varësi të apartamentit që kishte në pallatin e vjetër. Është kriminale që t’i shfrytëzosh njerëzit për 5 vota. Megjithatë, nuk do kenë mundësi t’i shfrytëzojnë sepse pallatet do fillojnë javën tjetër te “5 Maji” dhe muajin tjetër në Kombinat. Pra njerëzit do kenë sy t’i shohin këto kantiere,” u shpreh Veliaj, duke shtuar se e gjithë retorika politike bëhet pasi partitë në opozitë sot kanë humbur votuesit.

“Duhet të jetë hall shumë i madh, kur e shikon një parti që në sondazhe ka shkuar pikiatë,” tha ai. Kreu i Bashkisë deklaroi se shembujt flasin vetë, siç ishte rasti i kreut të PD-së në Farkë, që dëshmoi se Partia Socialiste ka prioritet hallet e njerëzve, ndërsa dyshja Luli-Mona ka listën e halleve dhe vilave të veta. “Për mua ishte nder që kryetarin e PD-së së Farkës e bëmë me 4 shtëpi sepse ishin 4 kurora në një çati. Sigurisht, më preku kur më tha: “Ke ardhur ti dhe Kryeministri 3 herë këtu, ndërkohë që partisë sime as nuk i ra ndërmend që unë ngela pa shtëpi. Po e ilustroj me një shembull që u pa live në televizor për të treguar se kush ka prioritet të zgjidhë hallet e njerëzve dhe kush ka listën e halleve të veta, të vilave të veta, të deputetëve të vet, të interesave të veta. Qartazi këtu jetojmë në dy botë: në një botë, që është bota ku unë i përkas, ku kryeministri i përket, ku edhe ne kemi shqetësime për lista, por është lista e dëmshpërblimeve, e shtëpive që po japim, e shkollave që po ndërtojmë dhe sigurisht lista e Luli-Monës, që është lista e vilave të tyre, lista e interesave të tyre, lista e gjobave të tyre. Është mëse e ndershme që njerëzit t’i dinë për çfarë listash zgjohet secili prej nesh në mëngjes,” tha Veliaj.