Qyteti

Veliaj nga Njësia 3: Të gjitha projektet që kemi premtuar i kemi mbajtur

Veliaj nga Njësia 3: Të gjitha projektet që kemi premtuar i kemi

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj gjatë prezantimit të buxhetit të vitit të ardhshëm në Njësinë 3 në Tiranë, tha se të gjitha projektet e premtuara sot janë premtime të mbajtura.

“E mbajtëm premtimin që sheshin “Skënderbej”, nga ajo rotondo e kartodrom, do e bënim sheshin më të bukur në Ballkan, të mbushur me aktivitete ku tani do fillojmë edhe Fan Zone për Kampionatin Botëror të futbollit, ku do kemi edhe festat e nëntorit dhe të fundvitit! Premtuam pastaj, që Tirana do kishte ca hapësira për turistët, se vinin turistët, por s’dinin ku të shkonin. Thamë do bëjmë Pazarin e Ri dhe do ta kthejmë në identitet. A e mbajtëm atë premtim me gjithë kundërshtitë, me gjithë protestat edhe me gjithë sherret? Ne premtuam që Tiranës do t’i kthenim pjesën historike, pjesën e trashëgimisë. Të gjithë këta që ulërasin për trashëgiminë, s’na lanë të pastronim Pazarin. A e mbajtëm fjalën për Kalanë e Tiranës? Është një nga vendet më të frekuentuara për turistët, por edhe për ne vendasit. Po, apo jo? Dhe në qoftë se e mbajtëm fjalën me gjithë kundërshtitë, atëherë ata që na kundërshtonin, të paktën tani duhet të rrinë urtë. Duhet të rrinë urtë teksa ne punojmë, se boll i kemi duruar. Çdo premtim që kemi dhënë e kemi mbajtur,” u shpreh kryebashkiaku.