Qyteti

Veliaj për buxhetin me banorët e Njësisë 3: Me projektet e kryera kemi një qytet më të sigurtë

Veliaj për buxhetin me banorët e Njësisë 3: Me projektet e

Vijoi sot në Njësinë 3 turi i konsultimeve për buxhetin i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me banorët e zonës. Edhe në këtë takim, Veliaj shpalosi disa prej projekteve kryesore të realizuara, si dhe projekteve që vijojnë dhe që do të realizohen nga Bashkia e Tiranës, jo vetëm për këtë zone, por me impakt më të gjerë.

Projektbuxheti i vitit të ardhshëm, tha Veliaj, do të jetë me fokus solidaritetin, ku bashkia do t’u japë një dorë atyre që janë më në nevojë dhe preken më tepër nga kriza që po shkakton lufta në Ukrainë në të gjithë Europën. Veliaj përmendi në veçanti studentët, të cilët janë mbështetur këtë vit si asnjëherë më pare, me 50% të kostos së qëndrimit në konvikte, por edhe me abonenë falas.

“Unë besoj se në këtë vit të vështirë, një nga gjërat kryesore të këtij buxheti duhet të jetë solidariteti. Me fokus të ndihmojmë ata që janë më në nevojë! Ne kemi filluar që këtë javë, ku 10 mijë studentë kanë tërhequr abonetë falas, që të udhëtojnë falas, duke qenë se janë grupi më i prekur. Në Tiranën që e filloi me 10 mijë vetë dhe që sot është 1 milionë e 10 mijë vetë, 90% e njerëzve kanë ardhur nga diku tjetër, siç erdhi familja ime 52 vite më parë, kur prindërit e mi ishin studentë. Ky nuk është momenti, kjo nuk është koha, që t’u themi njerëzve jabanxhinj ‘kur u bëre ti’, ‘i kujt je ti’ e ‘i kujt jam unë’! Të gjithë kandidatëve që kemi përballë u them: Ju dhëntë Zoti jetë e shëndet, ju dhe familjeve tuaja, por ky është një debat racist, që ne nuk duhet ta bëjmë më në vitin 2022, kur Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë, sepse është qyteti i të gjithëve, do sigurojë sukses për të gjithë, mirëqenie për të gjithë dhe solidaritet për të gjithë,” nënvizoi ai.

Veliaj u ndal te projektet ikonike, të cilat tha ai, kanë rritur si kurrë më parë numrin e turistëve në Tiranë.

“Sot kush kalon te sheshi Skënderbej, i zë veshi lloj-lloj gjuhësh. Unë e di që ka njerëz që e shajnë përditë Shqipërinë, por shikoni turistët. Po të ishte ky vend kaq i tmerrshëm, nuk do shtoheshin turistët. Për herë të parë në Tiranë kemi pasur 4 herë më shumë turistë seç kemi banorë dhe kemi thyer rekordin para pandemisë, ku kaloi një milionëshi. Sot kemi pasur prej aktiviteteve të vitit të rinisë, mbi 4 milion vetë që kanë ardhur, ndërkohë që totali në Rinas ka qenë 6 milionë dhe deri në fund të vitit do shkojë 7 milion se unë besoj që po nuk folëm mirë ne për shtëpinë tonë, për lagjen tonë, për rrugën tonë, për qytetin tonë, për vendin tonë, për kombin tonë, s’flet mirë kush tjetër. Na takon ne që ta tregojmë këtë kartolinë,” tha ai.