Qyteti

Veliaj për përçarjen brenda opozitës: Kemi përballë skuadër si Big Brother, nuk qeverisin dot as shtëpinë e tyre

Veliaj për përçarjen brenda opozitës: Kemi

Nga Asambleja Socialiste e Ndroqit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh edhe drejtues politik i Partisë Socialiste për Tiranën, tha se PS-ja ka vetëm një plan, t’u shërbejë qytetarëve dhe bashkimin e tyre në një familje të përbashkët politike.

“Nëse ti nuk beson tek Shqipëria, nëse ti lë shtetësinë, nëse familja jote ka një plan B, nëse dy valixhe janë tashmë të paketuara për të shkuar në Hollandë, ne kemi vetëm një plan: plani A, B, C..., Zh, plani ynë është Shqipëria, Tirana, Ndroqi, familja jonë. Ne jemi një ekip serioz! Kapiteni ynë, Edi Rama, është njëri serioz, përveshim seriozisht mëngët për këtë betejë, se nuk kemi një atdhe të dytë, ne nuk kemi një plan B”, u shpreh Veliaj.

Nga ana tjetër, ai tha se përkundër politikës së përçarjes, PS punon për të gjithë, të majtë e të djathtë, ndaj ftoi që të bashkohen pvrësisht siglës së partisë këdo që do të jetë me skuadrën fituese.

“Nëse pala tjetër do të përçajë, ne duam që t’i bashkojmë njerëzit. Nëse ata besojnë tek dhuna, ne besojmë tek puna. Nëse ata besojnë tek urrejtja, ne besojmë tek dashuria dhe kjo është formula jonë e fitores. Ne në Partinë Socialiste fitojmë se dimë si bëhet skuadra. Skuadra të mëson se ne na duhen të gjithë dhe duhet të bashkëpunojmë. Nuk e kemi luksin t’i themi dikujt jo, meqë keni qenë në ekipe rivale. Nëse janë të aftë, nëse janë të talentuar, të zotë, nëse duan të punojnë, mire se të vijnë në familjen tonë,” u shpreh Veliaj.

Duke e quajtur Partinë Demokratike skuadër humbëse, nga e cila të gjithë detyrohen të ikin, Veliaj shtoi se kjo është prova që ata nuk qeverisin dot as shtëpinë e tyre. “Skuadra që kemi përballë është si “Big Brother”. Kë do eliminojmë nga shtëpia? Eliminuan çunin e Fahriut. Në fakt, mirë bënë, se më atë bllokim që i bëri Astirit duhet të ishte eliminuar më përpara, por kuptojeni pak llogjikën e tyre: është një skuadër që gëzon kur ikin njerëzit, që gëzohet kur njerëzit dalin nga shtëpia, gëzohet kur skuadra përçahet në 4 skuadra të tjera; pra, futen ata në fushë, thotë Muslim Murrizi jam dhe unë, Astrit Patozi jam dhe unë, Rudina Hajdari dhe Bamir Topi, domethënë kanë dalë katër skuadra të tjera. A e kuptoni që kemi përballë njerëz që jo vetëm që nuk bashkojnë dot shqiptarët, por nuk bashkojnë dot shtëpinë e tyre sepse shtëpia e tyre po shpartallohet?!”, deklaroi Veliaj.