Qyteti

Tirana me linjë të shpejtë të autobusëve Bus Rapid Transit

Tirana me linjë të shpejtë të autobusëve Bus Rapid

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka prezantuar ditën e sotme përballë një paneli me përfaqësues të kompanive të transportit qytetas dhe ndërqytetas, ekspertë gjermanë të transportit, përfaqësues të GIZ, si dhe ekspertë evropianë të lëvizshmërisë risitë e Transportit Publik “Bus Rapid Transit” që pritet të nisë funksionimin së shpejti në kryeqytet.

Veliaj tha se transporti publik është një çështje që meriton një diskutim serioz dhe të bazuar në fakte. “Transporti urban ka qenë në vëmendje të të gjithë debateve publike, edhe prej populizmit, edhe për faktin që po afron fushata, - jam duke pritur kur do fillojnë avionët dhe trenat falas. Nuk e di nëse po flitet me Elon Musk-in që edhe SPACE X të japë udhëtime falas për të gjithë votuesit në Shqipëri. Të gjithë e kuptojmë që nga kali blu vetëm propozime të tilla mund të priten. Kur kujton pastaj kalin që vjen në Tiranë kujtohesh që i kemi dëgjuar këto përralla edhe më përpara, - por ky është momenti për të bërë një bisedë serioze. Ne mund të kemi opinione të ndryshme por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Kështu është shumë e rëndësishme të lexojmë faktet dhe pastaj secili mbi këto fakte ka opinionet e veta,” tha ai.

Veliaj ka folur përmes shifrave si është përmirësuar transportit publik në Tiranë në këto vite. “Ne kemi 2-fishuar rrjetin e dedikuar të korsive të autobusëve, nga një rrjet prej 5 kilometrash, sot është një rrjet prej 10 kilometrash. Kemi shtuar 3 linja të reja të autobusëve që nuk ekzistonin përpara. Kemi rritur nga 169 km që ishte gjithë rrjeti i transportit, në 375 km. Kemi dyfishuar rrjetin dhe linjat ekzistuese janë zgjatur, pra me të njëjtin çmim ti bën sot dyfishin e itinerareve. Kemi rritur në 17 numrin e linjave rrethqytetase, nga 8 linja që ishin në 2015. Sot e kemi harruar, por shumë prej ish-komunave nuk vinin dot në Tiranë. Na duken si përrallë nga e kaluara diskutimet a po vjen autobusi nga Farka, nga Baldushku, nga Krraba, nga Peza, nga Vaqarri, por janë një realitet. Nuk po them se jemi perfekt, por thjesht po them ku e gjetën me kalin blu dhe ku jemi sot,” deklaroi kreu i Bashkisë.

Veliaj tha se janë shtuar stacionet e autobuzëve dhe është ulur koha e pritjes për qytetarët. “Kemi pasur 337 stacione në 2015-ën, kemi shkuar sot në 469 stacione. Janë rritur stacionet me 40%. Sot jemi në një situatë ku frekuenca e linjave nga 37 minuta është mesatarisht mesatarisht 7 minuta. Prisnim mbi gjysmë ore mesatarisht, sot është 7 minuta mesatarja në qytetin e Tiranës. Teksa po flasim në qytet shërbejnë rreth 420 autobusë. Gjetëm 100 e ca rrangalla sot janë 420 autobusë që transportojnë 9000 udhëtarë në orë. Sikur këta 9 mijë pasagjerë të ishin me makina, 9 mijë në orë imagjinoni se çfarë do të ndodhte me trafikun,” deklaroi ai.

Pas gjithë këtij transformimi të infrastrukturës, tashmë tha Veliaj ka ardhur koha e futjes së linjave të shpejta të autobusëve.

“Çfarë do të propozojmë sot? Propozimi sot është që ne të kalojmë në linjën e shpejtë të autobusëve fillimisht për 3 linja. Propozimi që na ka ardhur me mbështetjen e miqve tanë të KFË-së dhe GIZ-it gjerman dhe me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare është që të kalojmë në një sistem ku praktikisht në mënyrë të pandërprerë korridori i autobusëve as nuk penetrohet nga makinat, apo këmbësorët, por të jetë në një mënyrë të drejtë sidomos në ato rrugë, ose ato linjat që tashmë i kemi përcaktuar që janë: Tirana e Re, Unaza dhe Kombinati që do të kalojnë në këtë sistem të transportit të dedikuar me korsi të pandërprerë siç kemi bërë në disa raste me biçikletat” u shpreh ai.

Kjo, tha Veliaj, do inkurajonte të gjithë për të përdorur një transport publik sa më cilëso: “Jo kali blu dhe bileta falas, por brenda një arsyeje të pranueshme nga rregullat e tregut në një sistem kapitalist ku jetojmë. E provuam dhe atë sistemin për 40 e ca vjet ku ka qenë çdo gjë falas dhe pastaj kolapsuam se e kuptuam që ishte diçka komplet e paqëndrueshme si situatë”.

Kreu i Bashkisë solli me shembuj suksesi si do aplikohet në kryeqytetin shqiptar ky model i ri i aspiruar nga shumë kryeqytete botërore: “Sot, ky sistem që quhet BRT pas Rapid Transit, po konsiderohet dhe është implementuar nga Amsterdami në Chicago, nga Otavao në Mexico City nga Bogata në Guang Zho, nga Taipei në Tokio, pra është diçka që po merr një përkrahje universale në shumicën e qyteteve, si në Azi ashtu dhe në Amerikë, si në Europë ashtu dhe në disa nga qytetet më të mëdha të veriut të Afrikës, sepse qartazi është diçka më ekonomike, më e përballueshme dhe më realiste për tu implementuar në qytetin tonë”.

Linjat e shpejta të autobusëve do të sjellin një sërë përfitimesh të tjera vec shpejtësisë. “Propozimi na sjell një reduktim të trafikut, na sjell më pak ndotje, sepse autobusët nuk ndalojmë me ecejake por kanë një rrugë ekspres, na sjell më shumë barazi në lëvizje. Kështu që si përkthehet ky propozim në një investim konkret? Ne do të ndërtojmë 55 kilometra të korsive, pra nga 10 kilometra që kemi sot, do kalojmë në 55 kilometra të korsive të dedikuara të BRT, pra të lëvizjes së shpejtë tranzit deri në fund të 2023-it do të kemi 10 kilometrat e parë dhe deri në fund të këtij plani 5-vjeçar do ta kemi të plotë rrjetin e 55 kilometrave. Duam që të investojmë mbi 50 milion euro në lëvizjen e shpejtë të transportit publik, në këto 3 linja, pra në këto korsi të dedikuara”.

Plani është që autobusët e shpejtë të jenë elektrikë tha kreu i Bashkisë. “Në të 3 këto korridore duam që të dyfishojmë lëvizjen e shpejtësisë, nga 9-9.5 kilometra që është një shpejtësi modeste sot, në 20 kilometra në orë. Shtimi i shpejtësisë do të çojë në ngushtimin e kohës, nëse le të themi një cikël i plotë i Unazës bëhet për 54 minuta, Unaza do të shkojë në 24 minuta. Kjo do të thotë që duke qenë se është rritur shpejtësia është ulur minutazhi i bërjes së ciklit të plotë, na jep mundësinë që kapacitetin e transportit ta çojmë nga këta 9 mijë pasagjerë në orë që kemi sot, në 23 mijë udhëtarë në orë me sistemin e ri që ne po propozojmë. Ndërkohë që kemi planifikuar edhe vendndodhejn e automatizuar të mjeteve që ne të kemi një siguri dhe që te kemi një mundësi për të parë ku është ekzaktësisht secili autobus për të sinjalizuar në mënyrë digjitale stacionin që edhe qytetari ta shohë në mënyrë digjitale për sa kohë vjen mjeti,” shpjegoi në fund ai.