Qyteti

Veliaj: Sateliti i BE-së i vë Tiranës notën 8-9 për ajrin

Veliaj: Sateliti i BE-së i vë Tiranës notën 8-9 për

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i pranishëm në Konferencën Ndërkombëtare për Mundësitë Ekologjike për Sektorin Financiar në Shqipëri tregoi se Tirana sot ka një ajër më të mirë. Për këtë i referohej vlerësimit të satelitit të BE-së.

“Kur filluam punë në Bashkinë e Tiranës, sateliti Kopernik, i cili mat cilësinë e ajrit në të gjitha qytetet e Europës (është një shërbim pa pagesë i BE-së), nga një vlerësim 1-10, Tiranës i jepte vlerësimin 2-3. Sot, tani që po flas po futem live në aplikacion, vlerësimi për cilësinë e ajrit në Tiranë është 8, kurse në ditët pa makina shkon 9-10. Ky vlerësim nuk është 8 sepse flasim bukur, por është i tillë sepse kemi marrë vendimet e duhura. Qendra e Tiranës, nga një rrethrrotullim i madh makinash, sot është sheshi më i madh në Europën Juglindore. Pazari i Ri, nga një vend ngarkim-shkarkimi në mes të Tiranës, sot është një tjetër hapësirë pa makina. Këtu, mbas kurrizit tonë, ishte një landfill i vogël, m’u në qendër të Tiranës, Muret e Kalasë, por sot është një tjetër hapësirë e kthyer jo vetëm në një pol ekonomik me shumë biznese, por edhe më e pastër. Kjo do të thotë se e paskemi vetë në dorë. Mënyra se si sillemi, mënyrë si investojmë, si i marrim vendimet dhe nëse i reflektojmë këto vendime, ashtu siç i themi në këto takime, atëherë marrim rezultatet për të cilat ju fola dhe sot Tirana është një nga qytetet më të pastra në rajon”, tha Veliaj.