Veliaj: Si për studentët, do bëjmë një kartë sociale edhe për të moshuarit

Kryebashkiaku Erion Veliaj nga Njësia 3 ka njoftuar se ashtu si karta e studentit, do të krijohet edhe një kartë sociale për të moshuarit.
“Siç kemi kartën e studentit, ka ardhur koha të bëjmë një kartë sociale për të moshuarit. Dora e dukshme e qeverisë dhe e bashkisë në këtë rast, është më efikase kur ndërhyn në pikat më vulnerabël të shoqërisë, siç janë studentët dhe të moshuarit. Jemi në pikën kur po bëjmë disa llogaritje nëse është koha të ofrojmë të njëjtën paketë edhe për të moshuarit: pra, transport publik falas, apo edhe disa shërbime siç janë mensat, teatri, operat, muzetë, që mund të jepen me çmime të reduktuara për këtë grupmoshë, e cila është më vulnerabël, por sa herë ka një krizë të madhe, gjendet edhe më në vështirësi se të tjerët”, tha Veliaj.
I pyetur se çfarë u sugjeron të rinjve të studiojnë, Veliaj tha se mjafton që ata të fokusohen te e ardhmja.
“Për sa kohë që po shkojmë te temat e duhura dhe nuk po merremi me ‘kush je ti’, i kujt je’ apo ‘nga ke ardhur’, edhe pse ka ende debate pa sens të tipit ‘unë nuk jam i ardhur në Tiranë’, po çfarë domethënë që nuk jam i ardhur në Tiranë? Në Tiranë të gjithë kanë ardhur nga diku, se qyteti është themeluar me 10 mijë vetë, sot jemi mbi 1 milion. Ky qytet është i destinuar të presë njerëz nga kudo. Madje, edhe tironsit e vjetër ia kanë parë hajrin rritjes së qytetit sepse shtëpia e gjyshit, që dikur ishte me qerpiç, me gjasë është bërë pallat dhe ata kanë përfituar 30% të pronës së tyre. Zhvillimi është mirë edhe për atë që vjen, edhe për atë që është këtu sepse prona i vlen më shumë. Të bëjmë debat, në vitin 2022, ‘ti je i ardhur’, ‘ti je konviktor’, ‘ti je ardhacak’ është mentalitet mesjetar”, tha ai.