Në rubrikën javore për informimin e qytetarëve me fakte kryebashkiaku Erion Veliaj foli për Pazarin e Ri, Kalanë, Sheshin Skënderbej, Stadiumin Air Albania apo Piramidën si simbole të arritjeve të deritanishme dhe shndërrimeve pa humbur identitetin në Tiranë. Kurse Teatrin Kombëtar e quajti simbol të së ardhmes.
“Unë nuk jam kundër debatit, por jam kundër lajmeve të rreme, që pastaj shiten si fakte. Kjo administratë është votuar që të marrë disa vendime jo të lehta, por të duhura, përtej zhurmës së pakicës toksike dhe bllokuesve, duke parë drejt të ardhmes, për atë që do të jetë Teatri më i bukur në Ballkan, i ndërtuar me para publike, në tokë publike dhe i denjë për një metropol dhe ambicien që ne kemi për Tiranën, që të jetë kryeqendra e rajonit", tha Veliaj.
Bulevardi i Ri, shtoi Veliaj, është një tjetër shembull i Tiranës së të nesërmes. “Është shumë e rëndësishme ajo që po ndodh në dy lagjet e reja, në Kombinat dhe te Bregu i Lumit, te “5 Maji”. Dy lagje që janë konceptuar me qytetin 15 minutësh, dy lagje që vërtet u dëmtuan prej tërmetit, por sot po rilindin shumë herë më të forta, shumë herë më të bukura dhe shumë herë më moderne sesa ato ndërtesa që prishi tërmeti. Edhe aty pari bllokime pa fund, por për ata që janë futur, ose i kanë vizituar ato shtëpi, po e kuptojnë se po lind Tirana e shekullit të ri, me sistemin policentrik dhe me lagje që do të jenë aty për 100 vitet e ardhshme të qytetit, si hapësira fantastike për ata që banojnë dhe që u desh të transferoheshin prej tërmetit, por edhe për ata të tjerët që do të shkojnë aty për vende të reja pune dhe për institucionet publike,” u shpreh Veliaj.