Qyteti

Veliaj thirrje bashkiakëve të djathtë: Po humbasim kohë të çmuar duke u ndarë në dy shoqata, të unifikohemi!

Veliaj thirrje bashkiakëve të djathtë: Po humbasim kohë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetari i Shoqatës për Autonomi Vendore, Erion Veliaj, tha se ka ardhur koha që të gjtiha bashkitë e vendit të unifikohen në një shoqatë të vetme, për të pasur një përfaqësim më dinjitoz përpara organizatave ndërkombëtare dhe për t’I shërbyer më mirë qytetarëve. Në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës për Autonomi Vendore, ai shtoi se për sa kohë 61 bashkitë I kanë nevojat e përbashkëta, nuk duhet të humbin kohë duke u ndarë në dy shoqata të veçanta.

“Nuk mund të vazhdojmë të ndarë në dy koka sepse ka ardhur koha që, përpara se të kërkojmë ndihmë, duhet të ftillohemi njëherë vetë. Thirrja mbetet e hapur: Eja diskutojmë një mënyrë se si t’u japim kolegëve të opozitës më shumë vendimmarrje, bashkëkryesi e bashkëqeverisje të kësaj organizate, sepse në thelb është instrumenti me të cilin marrim fondet. Është mëkat të humbasim kohë të çmuar duke u ndarë në dy shoqata dhe duke krijuar një kakofoni, sidomos për donatorët e huaj, që s’kuptojnë pse vazhdon kënga e viteve ’90,” u shpreh Veliaj.

Të njëjtën thirrje kishte edhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku: “Kur mora detyrën, një ndër diskutimet që bëmë me kryeministrin ishte ai ku më tha, “që ta bëjmë të qartë, nuk është qëllimi që të kemi një ministër të bashkive në qeveri, por një ministër të qeverisë në bashki”. E unë besoj shumë fort te koncepti i bashkërendimit të punëve dhe në mënyrë specifike te forcimi i rolit të shoqatës,” u shpreh Mazniku.

Duke qenë në prag të festës së pavarësisë, Veliaj informoi se për herë të parë në Shqipëri do të zhvillohet Parada e Shqiptarëve në 28 Nëntor. “Kemi filluar përgatitjet për Paradën e Shqiptarëve në 28 Nëntorit. Është një traditë që për 15 vite ka ndodhur në Nju Jork dhe ideja e “Albanian Roots” është që ta kthejmë në Shqipëri. Duam që vërtet të jetë një festë e madhe. Kemi kaluar situata shumë të vështira si tërmeti, pandemia, Prandaj është një moment tani për t’u ngritur me kokën lart, duke pasur parasysh që në shumicën e rasteve rikuperimi ka qenë i shpejtë. Kemi bërë ndërtesa e ngrehina, shkolla, institucione më të forta, më të bukura, më të mëdha dhe unë besoj se ky është dhe një moment krenarie në 111-vjetorin e Pavarësisë, ndaj ju ftoj të gjithëve të jeni pjesë e asaj dite të jashtëzakonshme,” u shpreh më tej kreu i Bashkisë.

Ai tha se vitin e ardhshëm Tirana merr Presidencën e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit, njohur ndryshe si B40. “Nga muaji janar Tirana do të marrë Presidencën e B-40-ës, rrjetit më të madh themeluar në Stamboll. Athina e kishte Presidencën këtë vit, e marrim ne vitin tjetër. E shoh si një mundësi të jashtëzakonshme që për bashkitë shqipfolëse, jo vetëm tonat në Shqipëri, por edhe të tjerat në rajon, Tirana të jetë një derë e hapur dhe të sigurohet sa më shumë anëtarësi e jona në atë që do jetë padyshim rrjeti më i madh dhe më i fortë i bashkive në rajon. Ne do kemi hapjen e presidencës sonë dhe marrjen e stafetës nga Athina në janar,” deklaroi Veliaj.

Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës për Autonomi Vendore u diskutua mbi financat vendore dhe procesin e decentralizimit. Po ashtu u ngrit dhe një grup pune për vazhdimësinë e procesit të unifikimit të shoqatave.