Lexo Enver Robellin

Racizmi i Ana Brnabić

Mbi shqiptarët e dalë nga mali – dhe burokratët e BE-së që heshtin përballë racizmit shtetëror serb ndaj shqiptarëve.
Racizmi i Ana Brnabić

Enver Robelli/ Në një paraqitje para mediave, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq tha dje se Serbia është racionale, ndërsa Kosova joracionale. «Keni punë me njerëz që shprehimisht kanë dalë nga mali. Atyre aq u bën a është luftë atje apo jo dhe kjo më frikëson».

Kjo deklaratë e kryeministres serbe është raciste dhe në frymën e projekteve e deklaratave albanofobe të Jovan Cvijiqit (kërkonte daljen e Serbisë në det dhe shqiptarët i konsideronte «popull të pagdhenur»), Vaso Çubrilloviqit (kërkonte dëbimin e shqiptarëve nga Kosova me terror të organizuar nga shteti), Vlladan Gjorgjeviqit (i përshkruante shqiptarët si «racë më të ulët» se popujt e tjerë) dhe Dobrica Qosiqit (që mendonte se shqiptarët janë «mbetje morale» të Ballkanit).

Dëshmitar i racizmit të Ana Bërnabiqit ndaj shqiptarëve ishte ambasadori i BE-së në Beograd, Sem Fabrizi, një diplomat italian. Ai po qëndronte pranë saj ndërsa të dy po prezantonin Raportin e Progresit të BE-së për Serbinë. Fabrizi nuk reagoi dhe kjo nuk është ndonjë befasi. Është vazhdimësi e politikës serbocentriste të burokratëve të Brukselit. Mbetet të shihet nëse do të reagojnë krerët shtetërorë në Prishtinë dhe Tiranë.

Nuk është hera e parë që Bërnabiq jep deklarata nxitëse. Para një viti ajo qëndroi në Berlin, ku i dha një intervistë Deutsche Welles. Me atë rast Bërnabiq mohoi gjenocidin në Srebrenicë. Ajo tha se çfarë ka ndodhur në Srebrenicë nuk ka qenë gjenocid, sepse janë vrarë vetëm burrat, ndërsa gratë e fëmijët u lanë të lirë. Çfarë humanizmi serb! / Tiranapost.al. 

http://www.tiranapost.al/kryeministrja-serbe-i-pershkruan-serbet-racionale-dhe-kosovaret-njerez-pylli-bushati-per-te-ardhur-keq-qe-politikane-te-rinj/