Rajoni

BE nis procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën në tetor

BE nis procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën në tetor

Presidenca çeke e BE-së ka ndezur motorët për ta çuar përpara liberalizimin e vizave për Kosovën. Zëdhënësi i presidencës çeke të BE-së në një prononcim për Gazetën Express është shprehur se raporti i Komisionit Europian për situatën aktuale me vizat pritet të prezantohet në takimin e Grupit Punues për Viza më 13 tetor, Pastaj, Presidenca çeke do të bëjë ç’është e mundur ta fusë në agjendën e ministrave sa më parë. Sipas zëdhënësit, vendimi për vizat që mund të zgjasë disa muaj, mund të merret në nivel të ministrave, pavarësisht se si rrjedhin gjërat në takimet joformale të shefave të shteteve të BE-së e që një prej tyre do ta mbajnë më 7 tetor.

Raporti i Komisionit Evropian që do të prezantohet më 13 tetor në organin përgatitor të Këshillit Evropian i quajtur Grupi Punues për Viza do të shërbejë si bazë për të nisur debatin për miratimin e liberalizimit të vizave në Këshillin e BE-së.

Zëdhënësi i Presidencës çeke, Václav Smolka, ka konfirmuar se mes shteteve të BE-së ka gatishmëri që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave për zonën Schengen. Liberalizimi i vizave për Kosovën ndodhet shumë lart në agjendën e Presidencës Çeke. Aktualisht, Komisioni Europian është duke përgatitur një raport për situatën aktuale, i cili do të shërbejë si bazë për të nisur një debat për miratimin e liberalizimit të vizave në Këshillin e BE-së. Ky raport pritet të prezantohet në takimin e Grupit Punues për Viza më 13 tetor 2022”, ka thënë ai.

Zëdhënësi i presidencës çeke, Vaclav Smolka, që ushtron edhe funksionin e zëdhënësit të kryeministrit çek Petr Fiala, ka thënë se Çekia do të bëjë të gjitha përpjekjet që ta fusë në agjendën të ministrave të BE-së sa më parë. "Presidenca çeke do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta sjellë sa më shpejt këtë çështje në nivelin e ministrave. Mirëpo, përkrahja/miratimi nga Këshilli Evropian (shefave të shteteve) nuk është një parakusht në këtë çështje. Ajo që është me rëndësi, procesi në Këshill që ende mund të zgjasë disa muaj, është në rrugën e duhur. Ne jemi duke punuar në mënyrë aktive drejt një vendimi pozitiv sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Smolka.

Liderët e 27 vendeve të unionit evropian do të takohen paraprakisht edhe me 7 tetor në një takim joformal për të cilin zëdhënësi i presidencës çeke tha se s’ka agjendë zyrtare. Në një deklaratë të përbashkët të ministrave të Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë të publikuar më 16 shtator, ku u bë thirrje për progres në liberalizimin e vizave për Kosovën u pa gjithashtu si shenjë që mbështetja politike në mesin e bllokut evropian për këtë proces ekziston. Franca dhe Holanda si dy nga shtetet hezituese që kosovarët të lejohen të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen tani duket se nuk kanë dilema.

Ministria e Jashtme holandeze dy ditë më parë deklaroi se po e presin raportin e Komisionit Europian për procesin e liberalizimit të vizave dhe nëse ka progres atëherë Holanda ka gatishmëri për të marrë një qëndrim.

Sinjale pozitive ka dhënë të premten edhe Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka thënë se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të zgjidhet në vitin e ardhshëm, më saktësisht përgjatë muajve shkurt dhe mars.