Rajoni

DASH: Tregu i Përbashkët Rajonal, esencial për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor

DASH: Tregu i Përbashkët Rajonal, esencial për rritjen ekonomike

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka cilësuar se është esenciale për tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike, krijimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal, që të garantojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të thelluar dhe forcuar integrimin gjithëpërfshirës rajonal, në bazë të rregullave dhe standardeve të BE-së, shprehet në një deklaratë për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Kur është pyetur në lidhje me qëndrimin e SHBA-së ndaj nismës Ballkani i Hapur, zëdhënësi thekson se SHBA u bëjnë thirrje udhëheqësve në rajon “të përpiqen për të gjetur mundësi për reduktimin e pengesave tregtare, rritjen e konkurrencës ekonomike dhe ndërtimin e ekonomive të integruara, dinamike në shërbim të qytetarëve të tyre”.

“Ballkani Perëndimor është një rajon me potencial shumë të madh të pashfrytëzuar, që shfaqet edhe tek vizioni dhe përpjekjet e popujve të tij për të krijuar një rajon të begatë e të suksesshëm, të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën që bëri për Zërin e Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Sipas deklaratës së fundit të kryeministrit Rama, në datën 6 tetor marrëveshja do të nënshkruhet formalisht para Samitit BE-Ballkan.

Kosova deri tani nuk ka pranuar të nënshkruajë për shkak të tensioneve me Serbinë.