Rajoni

Deklaratat nga Tirana/ Osmani: Ose je krah Ukrainës, ose krah Rusisë. Vuçiç: Jemi vend i pavarur dhe jemi afër Rusisë

Deklaratat nga Tirana/ Osmani: Ose je krah Ukrainës, ose krah Rusisë.

Kanë mbërritur si fillim liderët e Ballkanit Perëndimor dhe presidentët e Këshillit të Europës, të cilët janë pritur nga Rama përpara stadiumit Air Albania. Menjëherë pas takimit me Ramën, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka folur për mediat teksa tha se sot nuk është vendi për të folur për negociatat me Serbinë. Ajo e vuri theksin tek pozicionimi i Kosovës kundër agresionit rus dhe pro BE-së.

“Jam këtu si udhëheqësja e një nga vendeve më pro europiane. E kemi treguar këtë në veprime kur vjen fjala për veprimet pro BE. Kemi dënuar agresionin rus. Na duhet që BE të lëvizë nga fjalët në vepra, siç është dhe liberalizimi i vizave për BE. Ky është një takim mes BE dhe Ballkanit Perëndimor, dhe jo negociata mes Kosovës dhe Serbisë. Është proces ne që besojmë te njohja e ndërsjellët. Ne do lobojmë për të ecur para për të përçuar mesazhe të forta të Ballkanit Perëndimor. Ose je krah Rusisë ose krah Ukrainës, dhe kjo duhet të vlejë. Ky është sinjali që BE do i dërgojë mesazh të qartë Ballkanit Perëndimor. Vuçiç është vazhdimësi e një mendësie të vjetër. Ajo çfarë po tregon Kosova këto ditë, është e kundërta e asaj që tregon Vuçiç, shtrin dorën për dialog. Edhe pse ata nuk kanë kërkuar falje për krimet e luftës”, tha Osmani.

Ndërkaq Vuçiç që mbërriti menjëherë pas Osmanit theksoi se Serbia është një vend i pavarur, afër Rusisë. Ai tha se do të vazhdojnë dialogun me BE-në, por në përputhje me interesat kombëtare.

“Vendosëm të vinim të diskutonim për të gjitha çështjet. Ne mbetemi të përkushtuar për çështjen e dialogut dhe për negociatat me BE. Duhet të mbrojmë interesat tona shtetërore në përputhje me Kushtetutën tonë. Unë jam realist dhe jam këtu të mësoj nga shumë njerëz, europianët dhe në fund të shpjegoj qëndrimin e Serbisë dhe besoj të marrim lajme të mira. BE kërkon harmonizim më të madh. Kjo nënkupton që është e rëndësishme të marrim mbështetjen e BE. Këto janë shenja të mira për të gjitha vendet tona. Besoj sot do të dëgjojmë për strategjinë e BE për të ardhmen. BE ka kërkuar harmonizim të plotë, Serbia është vend i pavarur ne i dimë detyrimet tona. Kemi një situatë ndryshe sa i takon integriteti territorial të Serbisë në ’99. Serbia është shumë pranë Rusisë, Serbia është vend i pavarur nëse dikush do të thotë se jemi afër me Rusinë është arsye për të kritikuar dikë kur nuk ke asgjë për të thënë. Është e lehtë të ekspozosh çdo lloj akuze falsiteti, lajmesh të rreme, por e vërteta del. Serbia është vend i pavarur, është drejt rrugëtimit të BE.”, tha Vuçiç.