Rajoni

Edi Rama në OKB: Ja si flet një tradhtar i Kosovës

Edi Rama në OKB: Ja si flet një tradhtar i Kosovës

Me autoironi për sulmet që merr vazhdimisht, kryeministri shqiptar Edi Rama, shpesh i shënjestruar nga rrjeti kosovar si vëlla i Vuçiç, ka folur në OKB për çështjen e Kosovës.


Në OKB Rama tha në fjalën e tij:

Të gjithë në Ballkanin Perëndimor jemi rrekur për një dekadë që të bëhemi bashkë, të takohemi, të flasim për sfidat dhe të planifikojmë të ardhmen tonë të përbashkët.

Është bindja e palëkundur e Shqipërisë që duhet ta shohim të shkuarën me sytë e së ardhmes e jo të shohim të ardhmen me sytë e të shkuarës.

Sot popujt e Ballkanit kanë një moment të një mundësie historike në kontekstin e një rreziku historik më gjerë në Europë, ku agresioni rus kundër Ukrainës duhet të na shërbejë të gjithëve si një zile e përhershme alarmi.

Do të thoja që Ballkani Perëndimor është sot në një pozicion shumë më të mirë sesa ka qenë ndonjëherë, por na duhet të punojmë pareshtur dhe me durim midis vetes sonë në rajon e mbi të gjithë me aleatët e partnerët tanë për t’u siguruar që kthimi në të shkuarën të jetë, jo vetëm i pamundur, po thjeshtë i paimagjinueshëm.

Në këtë kontekst Republika jonë simotër e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm si shtet mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor me një perspektivë të qartë europiane e një aleancë të padiskutueshme ndaj komunitetit të madh demokratik të vendeve.

Çdo paralele e hequr artificialisht midis Kosovës e zonave të pushtuara të Ukrainës kanë për synim të shpërqendrojnë e të hutojnë këdo që është e mundur në këtë ndërtesë dhe të gjithë opinionin publik ndërkombëtar, por kurrë nuk mund t’ia arrijnë të zbehin të vërtetën që është: Kosova është tashmë një pjesë e pandashme e realitetit ndërkombëtar, një anëtare aspirante e komunitetit Euroatlantik e nuk duhet të mbahet peng nga askush me pretendime e justifikime të rreme, duke e nisur nga grupi i 5 shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e njohin vendin e Kosovës me të drejtë, në çdo organizatë e forum ndërkombëtar.