Rajoni

Fillon votimi për zgjedhjet presidenciale në Itali

Fillon votimi për zgjedhjet presidenciale në Itali

Raundi i parë i votimit për presidentin e ardhshëm të Italisë dhe pasardhësin e Sergio Mattarellas ka filluar ditën e sotme, pa një kandidat të qartë pas tërheqjes së kandidaturës së ish-kryeministrit Silvio Berlusconi.

Zgjedhjet do të jenë një çështje e paprecedentë, për shkak të pandemisë së koronavirusit që ndikon në mënyrën se si do votojnë votuesit.

Për shkak të COVID-19, procedurat e zgjedhjeve pësuan disa ndryshime, duke përfshirë një zonë të posaçme votimi me makinë që është ngritur në parkingun e parlamentit për zgjedhësit që rezultojnë pozitivë ose në karantinë.

1009 deputetë dhe përfaqësues të posaçëm rajonal do të votojnë për pasuesin e Mattarella në një votim të fshehtë që mund të vazhdojë për disa raunde përpara se të zgjidhet një kandidat.

Ndërkohë, kryeministri Mario Draghi ka treguar që është i gatshëm për të kandiduar për postin. Gara është vështirësuar pasi Berlusconi tërhoqi kandidaturën e tij të shtunën, duke pretenduar se kishte vota të mjaftueshme për të fituar, por se vendi nuk mund të përballonte ndarjet politike.

Me mandat shtatëvjeçar, kreu i shtetit të Italisë është një post kryesisht ceremonial, por kërkon edhe zgjuarsi politike dhe njohuri kushtetuese për ta drejtuar Italinë përmes krizave të saj politike.