Rajoni

Greqia akuzon Turqinë se kërkon ta destabilizojë duke i dërguar emigrantë të jashtëligjshëm

Greqia akuzon Turqinë se kërkon ta destabilizojë duke i

Greqia ka akuzuar Turqinë se i dërgon qëllimisht varka me emigrantë të jashtëligjshëm për të rënduar sistemin e azilit në shtetin grek dhe për të shtuar kostot ekonomike të mbajtjes së tyre.

Akuzën e ka artikuluar Ministri grek i Imigracionit, Notis Mitarakis që ka thënë se ka marrë shumë raporte nga rojet bregdetare greke që kanë parë autoritet turke që qëllimihst i hapin rrugën emigrantëve të jashtëligjshëm, madje edhe i ndihmojnë, me qëllim që të provokohet një krizë më e madhe.

“Është përtej çdo dyshimi se këta emigrantë kanë mbërritur nga birgjet turke me mbështetjen aktive të forcave turke dhe nuk janë njerëz që kanë në rrezik. I bëjmë thirrje Turqisë që të ndalojë këtë provokim”,- ka thënë në deklaratën e tij Mitarakis.

Në përgjigje të kësaj deklarate, Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ismail Catakli ka thënë se akuza është e pabazuar dhe fyese. “Është krim kundër njerëzimit të akuzosh rojen bregdetare turke që shpëton jetë, me pretendime të këtilla. Por, kjo është tipike dhe e pritshme nga ju”- është përgjigjur Catakli.

Kujtojmë se përgjatë muajve të fundit forcat ushtarake të Greqisë dhe Turqisë kanë qenë nën tension për shkak të zonës së eksplorimit të gazit që Ankaraja synon të shfrytëzojë, por që kundërshtohet nga Greqia dhe Franca që ka interesat e saj ekonomike në zonë.

Tiranapost.al