Greqia zgjat deri më 24 janar masat anti-Covid në pikat kufitare
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka lajmëruar me anë të një njoftimi se Greqia ka shtyrë masat aktuale anti-Covid deri më datë 24 janar 2022.
Të gjithë ata që udhëtojnë drejt Greqisë, pavarësisht kombësisë ose nëse janë të vaksinuar apo kanë kaluar COVID-19, do duhet të paraqesin test negativ PCR të kryer brenda 72 orëve para udhëtimit ose test të shpejtë antigjenik, kryer brenda 24 orëve para udhëtimit.
Gjithashtu çdokush që do dojë të hyjë në territorin grek duhet të plotësojë një formular elektronik PLF (Passenger LocatorForm) me të dhënat e kontaktit në Greqi përpara mbërritjes.
NJOFTIMI I MINISTRISË
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se Greqia ka shtyrë masat aktuale anti-Covid deri më datë 24 janar 2022.
Të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Greqisë, pavarësisht kombësisë, pavarësisht në qoftë se janë të vaksinuar ose kanë qenë të diagnostikuar me COVID-19, janë të detyruar të paraqesin:
Test negativ PCR, kryer brenda 72 orëve, përpara udhëtimit.
OSE
Test të shpejtë antigjenik, kryer brenda 24 orëve para udhëtimit.
Të gjithë udhëtarët që hyjnë në territorin e Republikës së Greqisë, duhet të plotësojnë formularin elektronik PLF (Passenger LocatorForm), në adresën elektronike https://travel.gov.gr, me të dhënat e tyre të kontaktit në Greqi, përpara mbërritjes.
Masa vlen për të rriturit dhe fëmijët mbi 5 vjeç, pavarësisht nga vaksinimi.
Pikat kufitare të Kakavisë, Kapshticës dhe Qafbotës funksionojnë gjatë 24 orëve. Pika kufitare e Tre Urave funksionon nga ora 08:00 deri në orën 20:00.