Merkel nga Beogradi: E kemi qëllim anëtarësimin, por Ballkani ka rrugë të gjatë drejt BE-së

Para se të mbërrijë nesër në Tiranë, kancelarja Angela Merkel vizitoi Beogradin ku pati një takim dhe një konferencë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Merkel tha se një nga qëllimet e Gjermanisë është që të shohë anëtarësimin e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, por shtoi se të gjitha vendet kanë një “rrugë të gjatë” përpara.
Merkel shtoi se çështja e njohjes së pavarësisë së Kosovës, kur bëhet fjalë për Serbinë, është një çështje që do të zgjidhet në fund të një procesi.
“Disa çështje do të zgjidhen në fund të një procesi. Të gjithë e dinë se disa vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën. Çështja duhet të zgjidhet. Nuk ka kuptim të flasim për përfundimin e një procesi para se të zgjidhen gjërat e tjera dhe pastaj i gjithë procesi”.
Ndërsa Vuçiç tha se zyrtarët në Serbi e dinë se zgjidhja e çështjes së Kosovës është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE.
“Unë nuk do t'i mohoj njohuritë tona për kushtet e anëtarësimit në BE. Siç dëgjoni nga Prishtina se ata kanë Kushtetutën e tyre, ashtu e kemi edhe ne Kushtetutën tonë, të cilës i përmbahemi. Ne jemi gati për kompromis, për një zgjidhje kompromisi. Nëse pyetemi se a jemi të vetëdijshëm se nuk do të jemi vend anëtar i BE-së përpara zgjidhjes së çështjes, jemi të vetëdijshëm”, tha Vuçiç.
Ai përsëriti se nuk është për konflikt të ngrirë kur bëhet fjalë për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës dhe shtoi se është i hapur për dialog dhe zgjidhje kompromisi.
“…por duhet të jetë një kompromis, jo shkatërrues për Serbinë”.
Të martën, Merkel do të qëndrojë në Tiranë, ku pritet të takojë kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës.
Zëdhënësja e Qeverisë gjermane, Martina Fietz, tha se “përveç bisedimeve dypalëshe, bashkëpunimi rajonal do të jetë një temë e rëndësishme” e udhëtimit dyditor të Merkelit.
Pas 16 vjetësh në pushtet, Merkel do të largohet nga pozita e kancelares në fund të mandatit të saj të katërt, përkatësisht pas zgjedhjeve të 26 shtatorit në Gjermani.
Vizita e saj në Ballkan vjen gjithashtu përpara samitit të ardhshëm BE-Ballkan, që do të mbahet në tetor./REL
*Tiranapost.al.