NATO gati të ndërhyjë nëse Serbia përshkallëzon situatën në veri të Kosovës


NATO është e gatshme të ndërhyjë nëse Serbia përshkallëzon më tej situatën në veri të Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jean Stoletenberg ia tha sot në sy Presidenit serb Aleksandër Vuçiç të bëjë kujdes me Kosovën, pas agravimit të situatës javët e fundit në veri të vendit.
“Ne kemi qenë në kontakt me autoritetet në Beograd, por edhe në Prishtinë, i kemi mbajtur kanalet e hapura të komunikimit. Jemi gati të reagojmë nëse do kemi situata problematike. Nëse do duhet ne do t’i lëvizim këto trupa që kemi në Kosovë për t’i çuar në zona problematike. Jemi gati të bëjmë më shumë nëse do të jetë e nevojshme. Ne kemi si qëllim që të ulim tensionet”, tha Stoltenberg në konferencën e përbashkët për shtyp me Vuçiç pas takimit me dyer të mbyllura që zhvilluan së bashku.
Ndërsa Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u shpreh se paqja dhe stabiliteti janë të një rëndësie vendimtare për Serbinë.
“Ne shpjeguam qëndrimin tonë, kam dorëzuar listën e inkursioneve të njësive speciale në veri për të cilat duhet të kishin pëlqimin katër kryetarë komunash”, tha ai, ndërsa këmbënguli se ushtria dhe policia serbe nuk e kaluan kurrë vijën administrative në veri të Kosovës.
“Serbia nuk ka nevojë për bazat e huaja të askujt. Serbia është ushtarakisht neutrale. Ajo dëshiron të sigurojë vendin e saj dhe popullin e saj dhe kështu do të sillet edhe në të ardhmen”, tha Vuçiç.
Vuçiç dhe Kryeministri kosovar Albin Kurti do të takohen ditën e nesërme për vijimin e marrëveshjeve dypalëshe mes dy vendeve, por përpara këtij takimi delikat të dy kanë në axhendë takime të veçanta në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jean Stoletenberg Stoltenberg, të dërguarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.