Rajoni

Rama: Kush nuk e kupton sa të vegjël që jemi të ndarë, jeton në të shkuarën! Po bëjmë atë që do ndodhë sapo të hyjmë në BE

Rama: Kush nuk e kupton sa të vegjël që jemi të ndarë,

Kryeministri Edi Rama në takimin e Forumit Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal ku pritet të formalizohet krijimi i zonës së lirë ekonomike “mini-shengen” në Ballkanin Perëndimor, ka thënë se ata që e kundërshtojnë këtë projekt “jetojnë në të shkuarën”.

Kryeministri ka shtuar se vendimi për krijimin e mini-shengen është thjesht përshpejtimi i asaj që do të ndodhte kur të hynim në BE dhe se pas 500 vitesh nuk ka pse të vazhdojmë të mbyllur “me kurriz të kthyer nga njëri-tjetri”.

“Mozaiku i pjesëmarrjes sot është përtej tre vendeve tona dhe besoj që është e mjaftueshme pamja e këtij mozaiku për të kuptuar vlerën dhe rëndësinë e kësaj nisme, sepse këtu janë të pranishëm njerëzit e sipërmarrjes, ata që krijojnë punë, krijojnë të ardhura dhe duan të shkojnë më tutje. Është e qartë se për të gjithë ata kjo nisëm është gjëja e duhur dhe jo vetëm gjëja e duhur, por ndryshe nga çfarë predikojnë disa është dhe e vonuar. Ky rajon nuk mund të vazhdojë të mbetet peng e të shkuarës në asnjë aspekt. Kush nuk e kupton akoma sa të vegjël jemi të ndarë për të rritur ekonomitë tona, për të hapur më shumë punë, më shumë perspektivë për paga të mira për të rinjtë është i dënuar të jetojë në të shkuarën. Ne nuk duam të jetojmë në të shkuarën. Ne duam të projektohemi në të ardhmen, përmes një nisme e cila nuk shpik asgjë të re, por thjesht sjell në këtë rajon një shembull kuptimplotë, që është shembulli i BE, duke synuar jetësimin e katër lirive themelore të BE, për lëvizjen e njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Për çfarë arsye duhet të presim të mbyllur në kufijtë tanë me kurriz nga njëri-tjetri siç kemi ndenjur 500 vjet, ndërkohë që integrimi europian ka ritmin, progresin, kushtëzimin e vet, jo thjesht nga ç’ bëjmë ne, por edhe nga si e shohin të tjetër. Në fund të ditës kur të arrijmë në BE do bëjmë ekzaktësisht këtë gjë që po bëjmë tani. Përse të presim?”- ka thënë mes të tjerash Rama.

Tiranapost.al