Rajoni

Refugjatët nga Afganistani/ Greqia ndërton 40 km mur dhe dërgon ushtrinë në kufi: As edhe një nuk kalon

Refugjatët nga Afganistani/ Greqia ndërton 40 km mur dhe dërgon

Qeveria greke ka marrë masa ekstreme si kurrë më parë për t’u siguruar se asnjë refugjat afgan nuk do të mund të hyjë në territorin e saj, duke paralajmëruar se nuk do të lejojë “përsëritjen e skenareve të vitit 2015”, kohë kur miliona refugjatë mbetën në Greqi për shkak të marrëveshjes së Dublinit që parashikon se vendi i parë i BE ku një azilkërkues hyn është vendi ku ai duhet të qëndrojë deri në shqyrtimin e kërkesës.

Që prej ditës së djeshme në kufirin tokësor me Turqinë ushtria helene ka ngritur një gardh 40 km i pajisur me sensorë, kamera dhe sisteme vëzhgimi. Ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Mihalis Hrisohoidhis, ka thënë përgjatë vizitës inspektuese për murin se kufijtë e Greqisë nuk do të preken, duke rrëzuar kështu thirrjen e presidentes së Komisionit Europian për pranimin e refugjatëve në Union.

Gjithashtu, Hrisohoidhis ka njoftuar se do të trefishohen patrullat në detin Egje dhe çdo anije me emigrantë të jashtëligjshëm do të kthehet prapa në Turqi me çdo kusht.

Kryeministri grek Kiriakos Micotakis ka komunikuar mbrëmë në telefon me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, ku sipas zyrës së shtypit në Athinë, është rënë dakord mes liderëve se dy shtetet “nuk mund të bëhen sërish depoja e refugjatëve të botës”.

Qëndrimi “ekstrem” i Greqisë mund të shpjegohet nga fakti që si shtet mesdhetar, ka qenë pikë hyrje për valën e refugjatëve të vitit 2015 dhe mori një peshë disproporcionale të tyre për nga fuqia ekonomike dhe numri i banorëve.

Tiranapost.al