Rajoni

Serbinë e njoh më mirë sesa Rama! Nuk mund të jesh neutral mes zjarrëfikësit dhe zjarrit

Serbinë e njoh më mirë sesa Rama! Nuk mund të jesh neutral

Kryeministri Albin Kurti në të parën intervistë pas mbledhjes së fundit të dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës, ka folur edhe njëherë hapur për çështjen e Ballkanit të Hapur. Ai thotë se ndryshe nga Rama, nuk i zë besë Serbisë, sidomos sot kur po bëhet gjithnjë e më e dukshme afërsia e saj me Rusinë.

“Sa i përket disa iniciativave rajonale ne nuk pajtohemi. Unë besoj se Serbia do të destabilizojë Ballkanin, që nuk është neutrale, por ka marrë anën e Kremlinit. Nuk mund të jesh neutral mes zjarrfikësit dhe zjarrit. Ata i kanë 14 aviona MIG29. 8 i kanë marrë nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia dhe këtu nuk ka dilema,” u shpreh Kurti.

I pyetur nëse ndan dhe Kryeministri Rama të njëjtin mendim me të sa i takon pozicionit të Serbisë, Kurti shprehet: “Ai ka dy linja të argumentimit. Në njërën anë, nganjëherë konsideron se ne po e mbivlerësojmë rrezikun, ndërsa në anën tjetër nganjëherë tregon për një rrezik që mund të jetë edhe më i madh, prandaj duhet të jemi më të kujdesshëm. Unë mendoj se nuk kemi pse të jemi të kujdesshëm ndaj Serbisë, sepse çfarëdo qëndrimi xhentil, bujar nga ana jonë, nga Beogradi lexohet si dobësi. Ata nuk e kuptojnë bujarinë shqiptare, xhentilencën, nuk e kuptojnë të qenit i fortë në parime dhe me fjalë të buta. Kur ke fjalë të buta ndaj tyre, mendojnë se je i dobët”.

Kurti shprehet skeptik lidhur me suksesin e Open Ballkan. “Unë nuk mendoj se do të ketë sukses. Edhe mendoj se është i gabueshëm. Ballkani i Hapur nënkupton një synim që nuk na qenka i hapur, por duhet ta hapim. Po ndaj kujt? Ne jemi të hapur ndaj BE-së dhe SHBA-së, dhe NATO-s. Por të hapet Ballkani ashtu siç është hapur Serbia për Federatën Ruse dhe Kinën, unë mendoj se është gabim. Nëse Ballkani na u dashka të jetë i hapur, le të hapet Serbia për Kosovën. Nëse shkon me letërnjoftim të Kosovës në Serbi, në kufi i thithin të dhënat biometrike dhe të japin një letër, ku shkruan se e ke humbur kartën e identitetit të Serbisë nga viti 1999. Dhe ti mund të mos jesh i lindur nga vitin 1999. Nëse ulesh në aeroportin e Prishtinës, Adem Jashari dhe dëshiron të shkosh në Preshevë, nuk të lejohet. Duhet të shkosh ose në Maqedoninë e Veriut, ose në Mal të Zi, sepse ata e konsiderojnë se është hyrje ilegale në territorin e Serbisë. Çfarë Ballkani i Hapur është ky. Aty janë 4 marrëveshje gjithsej. Vetëm në takimin e 8 mes dy qeverive ne nënshkruam 19 marrëveshje bashkëpunimi, memorandume, e protokolle që është gati pesëfishi i atyre,” u shpreh më tej Kurti në një intervistë për “Syri TV”.