Rajoni

Tensionet në veri të Kosovës vënë në diskutim edhe zgjedhjet e pjesshme

Tensionet në veri të Kosovës vënë në diskutim edhe

Presidentja dhe qeveria e Kosovës thanë të mërkurën se janë në pritje të vlerësimit të situatës së sigurisë nga organet përgjegjëse para se të marrin çfarëdo vendimi lidhur me procesin e zgjedhjeve për pushtetin lokal në komunat veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, duke lënë të hapur mundësinë e shtyrjes së tyre pas incidenteve të një dite më parë në zonë.

Në një përgjigje të zyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani thuhet se në rast se ka një kërkesë për shtyrjen e zgjedhjeve, ajo do të këshillohet me subjektet politike dhe më pas do ta marrë vendimin.

Qeveria e Kosovës tha se mbajtja e zgjedhjeve është detyrim kushtetues ndërsa theksoi se është në pritje të vlerësimit të situatës në veri nga organet e sigurisë për veprimet e mëtejshme.

Incidentet e djeshme në komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut në veriun e banuar me shumicë serbe ndodhën ndërsa policia po i shoqëronte zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në procesin e hapjes së Komisioneve komunale për zgjedhjet për kryetarë të katër komunave që janë caktuar për datën 18 dhjetor. Grupe qytetarësh serbë penguan hapjen e zyrave të Komisioneve komunale të zgjedhjeve ndërsa policia njoftoi për të shtëna e shpërthime, por pa dëme në njerëz.

Incidentet nxitën shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të situatës në zonë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se “përdorimi i dhunës dhe i frikësimit, duke përfshirë përdorimin e një mjeti shpërthyes dhe rrezikimi i jetëve nuk është kurrë një metodë e përshtatshme proteste, në asnjë rrethanë”.

Në një postim në rrjetet sociale ai shkroi se Shtetet e Bashkuara “janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen më vonë gjatë këtij muaji në veriun e Kosovës”, ndërsa nënvizoi se siguria e të gjithë qytetarëve duhet të jetë përparësi.

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Ëigemark tha se “çfarëdo proteste duhet të jetë paqësore dhe të gjithë duhet të ruajnë qetësinë dhe të tregohen të përmbajtur”, ndërsa nënvizoi se misioni i tij do të vëzhgojë situatën në bashkërendim të ngushtë me policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

Autoritetet në Kosovë i cilësuan incidentet sulme të organizuara nga bandat kriminale që veprojnë në veriun e vendit me mbështetjen e Serbisë.

Ndërsa zyrtarë të Serbisë akuzuan autoritetet në Prishtinë për siç thanë vazhdimin e terrorit ndaj serbëve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të mërkurën tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veriun e Kosovës, si dhe për zgjedhjet e parakohshme të 25 dhjetorit për Kuvendet Komunale të dy syresh.

Ndonëse Kosova dhe Serbia arritën një pajtim për targat më 23 nëntor, që ishte edhe shkasi i largimit të serbëve nga institucionet nuk pati ndonjë pajtim rreth kthimit të tyre në institucione, ndërsa procesi zgjedhor po bojkotohet nga Lista Serbe që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit dhe ka mbajtur pushtetin në të gjitha komunat me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian po u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në mënyrë evropiane dhe të përqendrohen në arritjen e një marrëveshje normalizimi në bazë të propozimit që u bë i njohur si nisma franko-gjermane, e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Ish ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë – Serbi, Robert Cooper tha në një intervistë për shërbimin serb të Zërit të Amerikës se ka përshtypjen që asnjëra palë nuk është e gatshme për një marrëveshje.

“Ata nuk shohin se ka ndonjë rrezik të veçantë në të dhe kjo nuk i shqetëson. Dhe disi e shijojnë këtë, marrin vëmendje dhe ankohen për këtë në media duke bërë deklarata të forta se nuk do të dorëzohen kurrë. Të gjithë tregojnë se sa të fortë janë. Por duke dështuar të arrijnë një marrëveshje, ata në fakt tregojnë se sa të pafuqishëm janë”, tha zoti Cooper.

Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për të siguruar një takim të nivelit të lartë Kosovë – Serbi për të diskutuar mbi marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre gjatë javëve në vazhdim.