Rajoni

Tensionet në veri/ Kurti: Grupet kriminale nuk do tolerohen. Kryeministrja e Serbisë: NATO të frenojë Kurtin

Tensionet në veri/ Kurti: Grupet kriminale nuk do tolerohen. Kryeministrja

Situata në veri të Kosovës është tensionuar sërish. Shkak është bërë një operacion anti-kontrabande që Policia e Kosovës ka marrë. Qytetarë serbë që jetojnë në veri të Kosovës e kanë kundërshtuar operacionin dhe kanë goditur me gurë mbi efektivët e Policisë. Këta të fundit e kanë shpërndarë turmën me gaz lotsjellës.

Pas kësaj situata Albin Kurti bëri një deklaratë ku thoshte:

“Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës

Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri).

Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale.

Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë.

Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç iu përgjigj publikisht duke iu drejtuar NATO-s.

“U bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar, NATO-s, KFOR-it që të reagojnë urgjentisht dhe ta frenojnë Albin Kurti. Situata është më shumë sesa dramatike dhe ky është momenti që duhet një reagim për të ndalur policinë e çmendur. Kjo sjellje ka tejkaluar të gjitha masat dhe na sjellë në prag të kaosit”, ka thënë Brnabiç.