Vuçiç fajëson Kurtin për dështimin e marrëveshjes dhe zbulon 6 pikat e propozuara nga Prishtina
Për herë të parë pas dështimit të bisedimeve më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, ka folur Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, i cili ka fajësuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mos arritjen e një marrëveshjeje.
Vuçiç i cili ka takuar ditën e sotme dhe përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, tha se në këto bisedime Prishtina ka refuzuar çdo propozim për targat dhe dokumentet serbe.
“Atyre nuk u intereson ta zbatojnë atë. Ata refuzuan dhe targat KS dhe gjithçka, sepse i vetmi qëllim i tyre është ai i torturimit të popullit tonë në Kosovë, dëbimi përfundimtar i tyre”.
“Nuk do të ekzistojnë kolonat e refugjatëve, sepse ne do të shpëtojmë popullin tonë nga persekutimi,” shtoi Vuçiç.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tregoi dhe 6 pikat e marrëveshjes propozuar nga Prishtina:
1. Njohja reciproke dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare
2. Zgjidhja e problemeve nga e kaluara: zgjidhja e problemit të të pagjeturve, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, të të zhvendosurve, shkatërrimi i pronës private dhe publike dhe kthimi i objekteve, dëmshpërblimet e luftës që Serbia duhet t’i paguajë të gjitha
3. Bashkëpunimi në të ardhmen
4. Respektim reciprok për të drejtat e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës
5. Rishqyrtimi i marrëveshjeve të dakordësuara më parë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve
6. Dispozitat përfundimtare