Rajoni

Vuçiç poston foto me Ramën dhe Zaev në Forumin Strategjik të BE: Me miq të dashur, nën hijen e Ballkanit të Hapur

Vuçiç poston foto me Ramën dhe Zaev në Forumin

Kryeministri Edi Rama ashtu si dhe liderët e tjerë të rajonit ndodhet në Lubjanë të Sllovenisë për të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit që zhvillohet atje për shkak se Sllovenia mban presidencën e BE deri në Janar. Në këtë forum do të diskutohen sfidat e Unionit, kryesisht përballimi i pandemisë COVID-19, ndryshimet klimatike, por edhe çështjet gjeopolitike.

Në prag të nisjes së punimeve të Forumit, presidenti serb Alexander Vuçiç ka postuar një foto së bashku me kryeministrin Rama dhe kreun e qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Bashkangjitur fotos, Vuçiç shkruan: “Forumi i Bledit nën hijen e Ballkanit të Hapur. Mirësevini miq të dashur”- duke iu referuar kështu projektit të shumëpërfolur këto kohë për krijimin e tregut të lirë ballkanik, ose “mini-shengen”.

Kujtojmë se deri tani vetëm Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë firmosur për këtë projekt i cili ka marrë dritën jeshile të Brukselit, ndërkohë që qeveritë e tjera të Ballkanit Perëndimor mbeten ende hezituese.

Tiranapost.al