Vuçiç refuzon sërish planin europian: S’planifikoj të nënshkruaj asgjë

Presidenti Aleksandar Vuçiç, në një fjalim drejtuar qytetarëve të Serbisë të enjten pasdite ka bërë sërish një hap pas në lidhje me dialogun me Kosovën ndërmjetësuar në Bruksel.
Edhe pse dy ditë na ndajnë nga takimi i radhës me Albin Kurtin në Ohër, ku pritet sërish firmosja e marrëeshjes së njohur si plani franko-gjerman, Vuçiç thotë se “nuk do e nënshkruajë atë”, madje ka vënë në pikëpyetje edhe vëtë ekzistencën e një dokumenti të tillë.
“Ne e kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët të tyrin. Nuk kemi marrë ende asgjë nga Brukseli dhe ai dokument ende nuk ekziston”, tha Vuçiç.
Sipas tij, normalizimi i raporteve s’ka të bëjë me njohjen “de facto” apo “de juro” të Kosovës.
“Ditëve të fundit kemi diskutuar se çfarë është e nevojshme për të arritur normalizimin e marrëdhënieve, që për mua nuk do të thotë eufemizëm për njohjen e Kosovës, as de facto, as de jure. Si president, u bëj thirrje qytetarëve që t’i besojnë udhëheqjes së tyre shtetërore”, u shpreh ai më tej.