Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka nënshkruar vendimin për kthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Gjatë një ceremonia të gradimit të oficerëve të rinj të forcave të armatosura, lideri serb u shpreh se shërbimi i rregullt ushtarak do të jetë për një periudhë 75 ditore, teksa deklaroi se ka besim se edhe qeveria do ta miratojë këtë nismë.
“Dua të besoj se të gjithë e kuptojnë se sa kemi nevojë për një ushtri të fortë, se sa më shumë armë do të duhet të blejmë, të prodhojmë, sepse nuk është dëshira jonë që të sulmojmë askënd e as që do ta bëjmë. Por, dëshira jonë është të pengojmë këdo në na kërcënon çdo ditë pa pasur frikë”, tha Vuçiç.
Kroacia fqinje po ashtu ka njoftuar se duke nisur nga 1 janari i vitit 2025 do të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak me një kohëzgjatje prej dy muajsh.
Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri.
Vendet evropiane që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qipro.