Lexo Enver Robellin

Rasti i Drenasit: Hienat i vërsulen një viktime

Rasti i Drenasit: Hienat i vërsulen një viktime

Vajza nga Drenasi është viktimë. Atë viktimë e kanë keqpërdorur burrat e pandershëm, të padinjitetshëm dhe të pafytyrë. Ata duhet të marrin dënimin e merituar, ndërsa vajza duhet të gëzojë mbrojtje dhe kujdes institucional dhe jo të njolloset me etiketa vulgare. Veprimet e deritanishme të policisë lidhur me këtë rast janë skandaloze. Mënyra se si do të sillen autoritetet kosovare ndaj viktimës dhe të dyshuarve për krimin ndaj vajzës nga Drenasi, si do të sillet politika, shoqëria, mediat do të ketë pasoja afatgjata për qasjen ndaj viktimave.

Nga Enver ROBELLI

Gazetarja Jeta Xharra me të drejtë e alarmoi opinionin se po përgatitet një fushatë për njollosjen e vajzës nga Drenasi, e cila denoncoi një hetues policor dhe një arsimtar se e kanë abuzuar seksualisht. Në një shoqëri të dominuar nga mentaliteti kinse «burrëror» – në këtë rast burrëria është vetëm sinonim i primitivizmit – viktimës nuk i besohet. Sidomos kur viktima është vajzë, grua, atëherë dëshmitë e saj shikohen me dyshim. Së pari asaj i zbulohet identiteti, pastaj fillojnë të qarkullojnë llafet në stilin «edhe vajza i ka fajet», shoqëruar me disa etiketa me përmbajtje vulgare. Kështu, hap pas hapi, viktima barazohet me kriminelin, e përdhunuara me përdhunuesin, e skllavëruara me skllavopronarët, të cilët në rastin e Drenasit janë zyrtarë publikë, njerëz të cilët paguhen nga shteti për të arsimuar e edukuar brezat e rinj dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Hiena të ndryshme – nga policia, «mediat», brigadat për njollosje të Facebookut, mangupë fetarë – i janë vërsulur si hienat një viktime. Një vajze. Sipas kësaj mendësie barbare, hiret e viktimës qenkan faji i saj.

Deri më tani skandaloze është puna e policisë. Nga telefoni i konfiskuar i vajzës po rrjedhin mesazhe me qëllim që të përdoren si prova për të «treguar fytyrën e vërtetë të vajzës». Si është e mundur që policia të mos jetë në gjendje të ruajë të dhënat më delikate të një hetimi? Si është e mundur që të mos ndërhyjë drejtori i policisë? Ndoshta këto janë pyetje naive për një polici të cilës i është vjedhur dhoma e dëshmive! Sot u dha lajmi se është arrestuar avokati i vajzës së keqpërdorur në Drenas. Edhe ai dyshohet për abuzim me viktimën. Vetë avokati arrestimin e tij e ka quajtur «hakmarrje». Nëse kjo është e vërtetë, pra nëse bëhet fjalë për hakmarrje nga policia, atëherë duhet një spastrim i madh brenda policisë. Nëse e kundërta është e vërtetë, pra nëse avokati ka abuzuar me viktimën, tragjedia do të jetë po ashtu e madhe. Pas pak orësh avokati u lirua dhe një dreq e di se cili ishte qëllimi i policisë me këtë aksion.

Mënyra se si do të sillen autoritetet kosovare ndaj këtij rasti, si do të sillet politika, shoqëria, mediat do të ketë pasoja afatgjata për qasjen ndaj viktimave. Andaj nuk është koha për të heshtur krerët më të lartë të institucioneve, urgjent duhet të flasin dhe të përdorin ndikimin e tyre sidomos kryeministri dhe kryetari i shtetit, por edhe liderë të tjerë. Nëse Kosova ka një ministër të brendshëm të padenjë – të largohet sa më parë. Të largohet edhe drejtori i policisë. Edhe të involvuar të tjerë në këtë rast. Është krim që edhe 11 vjet pas pavarësisë së Kosovës dhe dy dekada pas themelimit të policisë së Kosovës, ky institucion nuk garanton as të drejtat minimale të viktimave – ruajtjen e të dhënave personale.

Në shoqërinë patriarkale shqiptare fjala e burrit me pushtet (domethënë e pisit!) vlen më shumë se fjala e gruas. Shumë shpejt gruaja shikohet si e përdalë, bishttundur, e shthurur moralisht, provokuese. Sepse faji na qenkësh te të qenmit grua, e cila duhet të durojë instinktet mëzatore të burrave, jo vetëm në kafehantet e pista ballkanike, por edhe brenda institucioneve. Me gjasë në këtë shoqëri ka pak njerëz që e kuptojnë se çka domethënë kur burrat keqpërdorin pushtetin e tyre ndaj grave viktima dhe i nënshtrojnë ato. Ditëve të fundit kanë qarkulluar pyetje idiotike në stilin: «Përse viktima nga Drenasi shkoi në hotele me ata burrat…».

Këto ditë në Zvicër u bë e ditur se një profesor i Universitetit të Baselit për pesë vjet e ka ngacmuar seksualisht një studente. Profesori ishte mentor i punimit të doktoratës së studentes. Ai ka keqpëdorur pozitën e tij dhe ka arritur ta nënshtrojë studenten, me të cilin ka pasur një lidhje intime. Në maj 2018 studentja dorëzoi një ankesë në Universitetin e Baselit, ku e akuzonte profesorin e saj për sulme fizike, kërkesa për seks, vërejtje mbi dukjen e saj. Studentja thotë se çfarë ka ndodhur është një marrëdhënie shfrytëzuese si rrjedhojë e pushtetit të profesorit: «Aktivitetet seksuale kanë karakterin e nënshtrimit nëse nuk respektohet autonomia trupore dhe e drejta për të vendosur vetë e palës tjetër», thotë viktima. Universiteti i Baselit ka marrë masa kundër profesorit, por detajet nuk janë bërë publike. Sidoqoftë, askush në Zvicër nuk e ka quajtur studenten «kurvë», askush nuk ka dyshuar në deklaratat e saj, askush nuk e ka vënë në pyetje besueshmërinë e saj, askush nuk ia ka bërë publik identitetin, madje as profesorit. Sepse njerëzit duhet të jetojnë edhe pas skandaleve më të mëdha. Dhe duhet të gjejnë rrugën e tyre në jetë, sidomos viktimat. Që kjo rrugë të jetë më e lehtë për viktimat ekzistojnë institucionet që merren me kriminelin, me ngacmuesin, me keqpërdoruesin e pozitës dhe njëkohësisht i ndihmojnë viktimës. në rastin e vajzës nga Drenasi kjo nuk po ndodhë. Dhe kjo është pjesa tjetër e tragjedisë./Tiranapost/A.C