SPORT

Rebic vjen nga stoli dhe “përmbys” Udinesen

Rebic vjen nga stoli dhe “përmbys” Udinesen

Nuk fitonte një ndeshje kampionatin në “San Siro” që prej 31 tetorit ndaj Spalit, por Milani ia doli të thyejë makthin mesditën e sotme ku mposhti Udinesen me rezultatin final 3-2 në një sfidë vërtetë spektakolare, veçanërisht në pjesën e dytë.

Kuqezinjtë vinin në një moment mjaft të mirë dhe me moral mjaft të lartë që prej ardhjes së Zlatan Ibrahimovi, ndërsa edhe sot u konfirmua rreshtimi I ri 4-3-1-2, por heroi këtë herë ishte kroati Rebic, që erdhi nga stoli dhe shënoi dy herë.

Pjesa e parë nisi me ritëm të lartë, por ishte një gabim në dalje i Giggio Donnarummës, që i dha mundësi Larsen të shënojë me një goditje të saktë nga jashtë zone dhe t’u japë avantazhin bardhezinjve.

Milani u përpoq të reagonte, por të besuarit e Gottit ishin rreshtuar në mënyrë perfekte dhe linin shumë pak hapësira për Ibrën me shokë, që rrallë herë arritën të shohin kuadratin e Mussos në pjesën e parë.

Që në start të 45-minutëshit të dytë, Pioli hodhi në fushë kroatin Rebiç në vendin e Bonaventurës dhe menjëherë ai barazoi shifrat në minutën e 48’, pas një aksioni të bukur të kuqezinjve, ku mbrojtësi Conti i shërbeu mjaft bukur në qendër.

Kaq mjaftoi që Milani të merrte zemër dhe të zhvendoste lojën në gjysmëfushën e Udineses, duke krijuar disa mundësi shënimi, por nga krahu tjetër mbrojtja fuste ujë nga krahu i Kjaer dhe në të paktën 3-4 raste Donnarumma bëri mrekullinë përballë sulmuesve friulianë, për të ruajtur rezultatin e barabartë.

Në minutën e 71-të ishte mbrojtësi dhe goleadori i kuqezinjve, francezi Theo Hernandez që gjeti golin e avantazhit gjatë zhvillimeve të një goditjeje këndore, duke shkuar edhe në kuotën e 5 realizimeve personale këtë sezon, më shumë se çdo lojtar tjetër te Milani.

Megjithatë takimi nuk ishte mbyllur ende dhe në minutën e 85-të, pas një krosimi në zonë, Lassagna iu vodh bukur Contit dhe Kjaer, dhe kërceu saktë me kokë, duke shënuar golin e barazimit dhe bërë që në “San Siro” të bjerë heshtja.

Arbitri kryesor akordoi 3 minuta shtesë dhe pikërisht në sekondat e fundit të lojës, atëherë kur shumica e tifozëve ishin ngritur për të lënë stadiumin, Rebic mori një top mbi vijën e 16 metrave dhe pasi krijoi hapësirën e duhur, gjuajti për të shënuar edhe golin e fitores për Milanin.

Me këtë 3-pikësh kuqezinjtë shkojnë në kuotën e 28 pikëve dhe tani rihapin shpresat për një vend në kupat e Europës, ndërsa Udinese mbetet në kuotën e 24 pikëve, shumë larg zonës së ftohtë. /XH.K