Aktualitet

Reforma Zgjedhore/ Arrihet marrëveshja me opozitën

Reforma Zgjedhore/ Arrihet marrëveshja me opozitën

Arrihet një marrëveshje mes opozitës jashtëparlamentare dhe mazhorancës lidhur me Reformën Zgjedhore. Dy negociatorët e opozitës së bashkuar, Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI, u ulën sot në një tryezë me dy bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari. Në përfundim të takimit që zgjati rreth 40 minuta, kryetari i Komisionit Gjiknuri tha se, për një konsesus të plotë do t'i bëhet ftesë zyrtare OSBE-së. Sipas palëve reforma do të përfundojë jo më vonë se 15 marsi i këtij viti.

Damian Gjiknuri: Kemi një marrëveshje mes palëve politike që opozita jashtëparlamentare të përfshihet në diskutimet në reformën zgjedhore me qëllim arritjen e një produkti të dakordësuar. Ne do të përpiqemi të punojmë me konsensus me ndihmën e ekspertëve të OSBE/ODIHR,  që do t’u kërkojmë të vijnë në Tiranë, që të adresojë çështjet me të cilat palët po ndahen. Jemi të gatshëm të gjejmë çdo lloj mënyre komunikimi me opozitën.

Gjiknuri la të kuptohet se ky takim u arrit nga vetë palët, dhe jo me ndërmjetësimin ndërkombëtar: "Janë palët shqiptare në tavolinë, ndërkombëtarët e ndjekin me shumë vëmendje".

Oerd Bylykbashi: Ky dokument garanton që reforma zgjedhore të bëhet me konsensus dhe kjo gjithëpërfshirje e konsensus të shkojë deri në fund. Kemi asistencën ndërkombëtare. Pas kaq kohësh nga kërkesa jonë, për të arritur këtë do të institucionalizohet një forum, Këshilli Politik, që do të mandatojë punën për të kryer gjithë këtë reformë.

Petrit Vasili: Baza është parimore dhe krijon mundësinë që aktorët dhe faktorët të kenë mundësinë të shprehen dhe të realizohet gjithëpërfshirja që i kanë munguar procesin. Në këtë moment është hedhur një hap që në rast të përgjegjshmërisë së duhur nga pala tjetër do të ishte një mundësi por të ecur përpara dhe për çliruar vendin nga damka e zgjedhjeve të blera por dhe për të hapur procesin e integrimit europian.

Rudina Hajdari: Sot PD dhe LSI pranuan që rruga që do të jepnin zgjidhje është duke ardhur me ide dhe plane konkrete. Diskutuam rreth një kuadri bashkëpunimi në vijim. Kjo do të kërkojë konsensus nga të gjitha palët. Theksoj se vullneti i opozitës parlamentare do të vazhdojë sa i takon ndryshimit të sistemit, ne besojmë fort që shqiptarët kanë nevojë ti rikthehet sovraniteti në Parlament.

Takimi nisi në orën 13:30 te Pallati i Kongreseve dhe u zhvillua vetëm pak minuta pas deklaratës së lideri demokrat Lulzim Basha, që bëri publik emrat e dy përfaqësuesve që do të negociojnë tre kërkesat e opozitës jashtëparlamentare./ Tiranapost.al

http://www.tiranapost.al/opozita-ulet-ne-tavoline-pa-llafe-per-reformen-zgjedhore-basha-mandaton-oerd-bylykbashin-dhe-petrit-vasilin-si-perfaqesues/