Aktualitet

Regjistrohen 25 parti për zgjedhjet në Kosovë

Regjistrohen 25 parti për zgjedhjet në Kosovë

U mbyll afati për regjistrimin e partive në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit të Kosovë. Sipas raportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë janë regjistruar për të marrë pjesë 25 parti, që kanë dorëzuar dhe listat e kandidatëve.

“KQZ njofton se është përmbyllur afati për dorëzimin e listës së deputetëve për certifikim në zgjedhjet e 6 tetorit. Brenda afatit kohor kanë dorëzuar gjithsej 25 subjekte politike, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 i pavarur. Nga sot, e shtunë, fillon faza e shqyrtimit të të gjitha aplikimeve. Më pas, Zyra për Regjistrim të partive politike paraqet pranë KQZ-së rekomandimet lidhur me aplikimet dhe KQZ-ja do të vendosë për aprovimin apo refuzimin e certifikimit. Vendimmarrja lidhur me certifikimin do të bëhet deri më 10 shtator”, tha për mediat zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi.

Sot pritet që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate do të mbajnë një prej tubimeve më të mëdha, për të prezantuar kandidatin e përbashkët për kryeministër, Ramush Haradinajn, si dhe listën e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës./ Tiranapost.al