Sa nje kafe nga Iva

Shën Valentini, skenarë kur e do dhe e urren. Bashkë me një plan rezervë

Shën Valentini, skenarë kur e do dhe e urren. Bashkë me një

Epo tashmë është bërë e modës që për çdo Shën Valentin në ekran të shfaqen kronika lajmesh me njërëz që festojnë. Pastaj nëpër emisione vajza të njohura ekravesh që thonë që kjo është demode. Ka nga ata që shëtitjen tek liqeni e kanë ende planin A të festës, siç ka të tjera akoma që shkruajnë statuse në facebook se sa e urrejnë këtë festë, ndërkohë që në fshehtësi shpresojnë që atë ditë dikush të kujtohet e t’u çojë së paku një trëndafil tek puna. Tamam tamam ëndrra e tyre do ishte një buqetë e madhe fare që t’i zilepste të gjithë (një kolegia ime dikur porosiste buqeta të tilla dhe ia dërgonte vetes, si anonime). Një shoqja ime ka gjithë javës që kërkon një dhuratë për partnerin edhe pse ai nuk i ka bërë kurrë asnjë të tillë në vitet e shkuara, por ajo kënaqet po njëlloj me blerjen. Kurse tjetra e martuar prej shumë vitesh, ka disa vite që e ka hequr këtë festë nga lista e dhuratave, ama çdo vit zihet me të shoqin se përse ai nuk i bën një surprizë në këtë ditë. E do ose e urren, si asnjë festë tjetër Shën Valentini nuk mbledh kaq shumë pro dhe kundër. Po i listoj pak më poshtë, së bashku me planin tim rezervë, që ia vlen dhe nëse e do, edhe nëse e urren Shën Valentinin.

PERGATITJE PER FESTE

E DUA: e ku ka arsye më të mirë për t’u bërë e bukur për të blerë?!

1- Blej të brendshme për vete

2- Blej të brendshme për të.

3- Një një javë rresht nuk lë sallon estetik pa shkelur, lyerje flokësh, thonjsh, vajra, dyll dhe parafinë, që në mos të bëjnë të bukur, të bëjnë të të duket jeta e bukur.

4- Blej soj soj çokollatash të bardha e të zeza, të vogla e të mëdha.

E URREJ: Nga dreqin erdhi prapë kjo dita që e kam shënuar me të zezë në kalendar? Nuk e duroj dot fare ndaj për këtë kam marrë disa masa:

1. Blej soj soj çokollatash të bardha e të zeza, të vogla e të mëdha.

2. Do shoh një sezon të tërë të “House of Cards” që asgjë të mos më kujtojë Shën Valentinin.

3. Sa të kthehem nga puna do i fik të gjitha: iPhone, iPad, iPod iiiiii dhe telefonin e shtëpisë do e stakoj, që mos më marrë mami.

4. Nuk do lëviz nga divani deri në mesnatë, kur të shkoj në shtrat, edhe çokollatat do i mbaj aty afër të gjitha, që të mos ngrihem e të përfundoj duke bërë hatanë tek frigoriferi.

SKENARI I DARKËS JASHTË

E DUA: Sepse do shkojmë tek ai restoranti më në modë ku kemi rezervuar shumë ditë përpara. Kur të futem brenda do ndiej mbi vete vështrime vajzash simpatike që dhe unë do i shoh në të njëjtën mënjyrë, si janë veshur, si e kanë të dashurin… Pastaj do porosisim një nga ato menytë gourmet me 7 pjata, njëri me prodhime deti dhe tjetri mishi, kështu do provojmë dhe nga pjatat e njëri tjetrit… Sa bukur do dukemi teksa ushqejmë njëri tjetrin!!

E URREJ: Meqë e di që pasditen do ta kaloj vetëm me çokollata dhe nuk do ha fare darkë, do më takojë totrura e drekës në një nga restorantet rrotull punës. Drama do te jetë e njëjtë edhe nëse bashkë me shoqen time do zgjedhim restorantin e vogël italian edhe nëse do mjaftohemi me një pizza. Do na shohin me atë paragjykimin po-këto-ça-bëjnë-si-8-mars, ndërsa rreth e rrotull do shohim çifte që ushqejnë njëri tjetrin “zemra shiko sa të mirë karkalecat krudo”, “po këtë djathin e stazhionuar e pe çfarë shjije ka?”. Fushë e minuar do jetë edhe rruga deri tek restoranti, me atë mori çiftesh të kapura për dore gati për të dëshmuar se sdashuria e tyre është më e forta në botë.

SHOPPING

E DUA: Të blesh lloj lloj rrangullash të kuqe me zemra dhe me yje në ditët para Shën Valentinit domethënë të blesh pak dashuri, edhe pse me çmim ca më të lartë. Po ku ka çmim për romantizmin?! Ndaj nuk ia vlen të merremi me vogëlsira si lekët por le të blejmë çdo gjë me shenjën dalluese të Shën Valentinit: zemrën e kuqe ku shkruhet “I love you” sipër. Çokollata me zemra të kuqe. Arushka pellushi me zemër të kuqe. Tortë me zemër të kuqe. Tullumbace me zemër të kuqe. Mbathje me zemër të kuqe. Bizhuteri me zemra të kuqe. Kartolina me zemër të kuqe. Prezervativë me zemër të kuqe. Bluze me zemër të kuqe. Parfum me zemër të kuqe. Letër higjenike me zemër të kuqe. Kudo zemra të kuqe. Mëkat që dhe mitingu i opozites nuk ështe më zemër të kuqe se do shkoja dhe atje.

E URREJ: Nëse je single mendon që mund të mbyllësh sytë dhe të mos ndjesh se vërdallë është kjo festa nga ku ti je e përjashtuar. Eh sikur të ishte kaq e thjeshtë! Ja që edhe në supermarket ku shkon të blesh ushqimet, çdo gjë ka sipër zemrat e kuqe, që të kujtojnë se për ty këtë vit nuk ka asgjë speciale. Edhe po mendove të shmangësh raftin e çokollatave, zemra e kuqe të mbin para syve edhe tek proshutat, madje edhe tek detergjeti i rrobave. OOOO maaaaaaaa!!!! Ja fiks këtu mund të marrësh mamin në telefon, në fund të fundit ajo nuk ka çmendur të festojë Shën Valentinin! “Hë të keqen mami ca po bën sot? Nuk ke dalë? Aman vish kanatieren në darkë se është shumë ftohtë ëëë??”

KUR NDEZ TELEVIZORIN

E DUA: Eshtë dita kur hap televizorin në mëngjes dhe të vjen të mos dalësh fare nga shtëpia, sepse sheh që në program janë gjithë filmat e tu preferuar, që nga Pretty Woman” dhe “Urat e kontesë Madison” tek “Bashkë me erën” dhe “Love actually”… Po sikur të rrije në shtëpi, të kënaqeshe dhe të prisje darkën që të shihni bashkë “Casablanca”? I vetmi bardh e zi që nuk i thonë jo as burrat.

E URREN: Kjo është dita kur mund të shohësh se ajo protagonistja në ditën më të keqe të jetës njeh dikë dhe pas disa vështirësish e keqkuptimesh jetojnë të lumtur përgjithmonë,. Kur ata ndahen dhe ai nuk rri dot pa pa të dhe kthehet. Kur ai kthehet dhe nga vdekja, sepse dashuron atë. Kur ajo s’ka asgjë dhe megjithatë është e lumtur dhe është e dashuruar… Po ti? As mos e hap televizorin fare, nëse nuk je si ajo.

DHE PASTAJ VJEN FUTBOLLI DHE…

Epo ja që këtë nuk e keni llogaritur fare, edhe nëse e doni, edhe nëse e urreni Shen Valentinin: sot ka ndeshje Champion League, është fiks ajo lloj ndeshjeje që asnjë burrë me mend në kokë nuk do ta linte për t’u marrë me tralala zemrash të kuqe.

…BEN MIRË TË MARRËSH MASAT

Një tortë me çokollatë, e bërë vetë është zgjidhja e duhur. Po po, ta bëni vetë, siç do ta bëj unë. Receta tek www.addasall.com. Kështu bën diçka të mirë në daç vetëm për vete, në daç dhe për t’u ndarë dhe e kalon pasditen pa u acaruar se pse nuk ke festë, ose pse ti ke festë dhe ai nuk ka… Relax dhe çokollatë. Nesër dietë urgjent!

 

Shën Valentini, skenarë kur e do dhe e urren. Bashkë me një plan rezervë