Shëndeti

Amerika miraton pilulën e parë për depresionin pas lindjes

Amerika miraton pilulën e parë për depresionin pas lindjes

Zurzuvae (zuranolone) quhet ilaçi i parë oral për trajtimin e depresionit pas lindjes.

Depresioni pas lindjes është një episod i madh depresiv që zakonisht ndodh pas lindjes së fëmijës, por gjithashtu mund të fillojë gjatë fazave të mëvonshme. Deri më tani, trajtimi për PPD ishte i disponueshëm vetëm si një injeksion intra venoz.

“Depresioni pas lindjes është një gjendje serioze dhe potencialisht kërcënuese për jetën. Gjendje në të cilën gratë përjetojnë trishtim, faj, pavlefshmëri – madje, në raste të rënda, mendime për të dëmtuar veten ose fëmijën e tyre. Dhe, për shkak se depresioni pas lindjes mund të dëmtojë lidhjen nënë-fëmijë, ai gjithashtu mund të ketë pasoja për zhvillimin fizik dhe emocional të fëmijës”, tha Tiffany R. Farchione, M.D., drejtore e Divizionit të Psikiatrisë në Qendrën për Vlerësimin dhe Kërkimin e Barnave të FDA-së.

Ashtu si me format e tjera të depresionit, PPD (Post Partum Depression) karakterizohet nga trishtimi ose humbja e interesit për aktivitetet që dikur jepnin kënaqësi dhe një aftësi e zvogëluar për të ndjerë kënaqësi. Mund të shfaqet me simptoma të tilla si dëmtim kognitiv, ndjenja trishtimi ose pamjaftueshmërie, humbje energjie, ose ide për vetëvrasje.

Sipas provave që u kryen me dy grupe grash, ato që morën medikamentin dhe të tjerat ku u zbatua efekti placebo, medikamenti pati efektshmëri. Madje efekti i trajtimit zgjati deri në katër javë pas dozës së fundit.

Sigurisht që ilaçi ka edhe efekte anësore dhe kufizime. Ai mund të ndikojë në aftësinë për të ngarë makinën dhe për të kryer aktivitete të tjera potencialisht të rrezikshme. Pacientët gjithashtu mund të mos jenë në gjendje të vlerësojnë shkallën e dëmtimit të tyre. Për të zvogëluar rrezikun e dëmtimit, pacientët nuk duhet të drejtojnë makinën ose të përdorin makineri të rënda për të paktën 12 orë pas marrjes së ilaçit.

Efektet anësore më të zakonshme përfshijnë përgjumje, marramendje, diarre, lodhje, nazofaringit (ftohja e zakonshme) dhe infeksioni i traktit urinar.

Doza e rekomanduar ditore për Zurzuvae është 50 mg. Duhet të merret një herë në ditë, për 14 ditë, në mbrëmje, me një vakt të yndyrshëm.