Shëndeti

Analizat zbulojnë nivele alarmante të një substance kancerogjene në disa lloje kremrash kundër diellit, ja cilat janë ato

Analizat zbulojnë nivele alarmante të një substance kancerogjene

Kompania farmaceutike amerikane “Valisure” ka zbuluar gjurmë të një kimikati që është i lidhur me kancerin e gjakut dhe shkaktimin e leukemisë, në disa produkte kremrash diell shumë popullore.

Benzeni, një substancë e njohur kancerogjene është zbuluar në 78 nga 300 llojet e produkteve që u morën në studime, pra rreth 27% e disa prej produkteve më të shitura dhe të përdorura.

Pas zbulimit kompania krijoi një peticion ku i kërkonte autoriteteve amerikane që të tërhiqte produktet në fjalë nga tregu, një kërkesë e cila po shqyrtohet aktualisht nga zyra Federale e Ushqimeve dhe Medikamenteve në SHBA (FDA).

“FDA-ja i merr të gjitha shqetësimet në lidhje me sigurinë e produkteve konsumatore shumë seriozisht dhe do të studiojmë me kujdes rastin e kremeve të diellit”- shkruhet në përgjigjen e FDA-së për rrjetin televiziv CBS.

Kimikati i rrezikshëm, që është një lëndë pa ngjyrë ose me ngjyrë të lehtë të verdhë dhe ka temperaturë dhome është shumë i përdorur në fushën farmaceutike dhe në industrinë kimike. Ai gjendet në tymin e cigareve, në benzinë, në tipa të ndryshëm ngjitësash, adezivësh dhe në produkte të ndryshme pastrimi dhe lyerjeje.

Valisure ka raportuar se 14 produkte anti-diell kanë nivele alarmuese të kësaj lënde kimike dhe janë marka të cilat preferohen më së shumti nga konsumatorët. Sipas testeve produktet në fjalë kanë deri në tre herë më shumë se normat e përcaktuara nga FDA-ja, që parashikon jo më shumë se 2/1.000.000 të sasisë së produktit të jetë benzemë.

Themeluesi dhe presidenti i Valisure, David Light paralajmëron konsumatorët që të marrin shqetësimet që ngre ky studim shumë seriozisht: “Benzena është një nga substancat kancerogjene më të rrezikshme për njerëzit që njeh shkenca. Ajo shkakton kancer në qelizat e gjakut dhe po e gjejmë në gjithnjë dhe më shumë produkte në nivele që nuk duhet të ishte. Përdorimi i shpeshtë i këtyre produkteve nga të rritur dhe fëmijë është shumë alarmues.”- ka shkruar Light në deklaratën e kompanisë.

Kompania Valisure fton të gjithë ata që kanë mundësi të dërgojnë vetë kremërat që përdorin për t’u vënë në analizë laboratorike dhe për të vlerësuar sa të sigurt janë për shëndetin.

Kompania Johnson & Johnson e cila përmendet nga Valisure i është përgjigjur CBS se nuk ka benzenë në asnjë nga produketet e saj, ndërkohë që kompania Banana Boat ka mbrojtur produktet e saj në një deklaratë ku shkruhet: “Produktet tona për mbrojtjen kundër diellit i nënshtrohen testimeve rigoroze për t’u siguruar se janë të sigurta dhe përmbushin kërkesat e FDA-së”.

Kompania CVS ka qenë më e hapur ndaj kritikave teksa ka reaguar kështu: “Jemi në një proces rivlerësimi dhe po marrim informacionin që na ka ardhur nga Valisure për t’u përgjigjur me ndryshimet e nevojshme”.

Kompania Sun Bum, tha për CBS në përgjigjen e saj se do të gjurmojë sasinë e lëndës kancerogjene dhe do të përcaktojë çfarë mund të bëjë për uljen e nivelit të saj.

Në përfundim të peticion, Valisure ndonëse këshillon kujdes, përsëri nënvizon se konsumatorët nuk duhet të rrinë pa blerë krem kundër diellit: “Është e rëndësishme që njerëzit, veçanërisht gjatë muajve të verës të kuptojnë se shumë produkte janë të sigurt dhe nuk rezultuar me benzenë dhe duhet të vazhdojnë të përdorin këto produkte për të ulur rrezikun e kancerit në lëkurë që vjen nga ekspozimi i gjatë në diell”.

Bashkangjitur lista me produktet në të cilat u gjet nivel i lartë i benzenës.

Përshtatur nga CBS News/ tiranapost.al

Dokumenta bashkëngjitur