Shëndeti

Aprovimi i kurës së Alzheimer nga autoritetet e SHBA është i parakohshëm

Aprovimi i kurës së Alzheimer nga autoritetet e SHBA është i

Në datën 7 qershor, Administrata e Ushqimeve dhe Medikamenteve amerikane (FDA) aprovoi medikamentin e parë për trajtimin e sëmundjes së Alzeihmeri-t pas vitit 2003. Lajmi u prit me eufori të madhe dhe jo pa arsye. Gati një shekull kërkimesh nuk arritën të prodhojnë trajtim efektiv për këtë sëmundje që shoqërohet me një humbje të madhe të aftësive konjitive dhe në 60-80% të rasteve shoqërohet me manifestime çmendurie. Kjo sëmundje ka prekur 50 milion njerëz në botë dhe me rritjen e moshës mesatare të popullsive në vendet e zhvilluara, kjo sëmundje po bëhet gjithnjë dhe më e përhapur.

Për fat të keq, vetë FDA e ka pranuar se nuk është vërtetuar plotësisht se medikamenti i ri, një anti-trup monoklonal i quajtur “Aduhelm”, funksionon. Aprovimi ka qenë një vendim deri diku i nxituar për shkak se krijon pritshmëri jo-realiste tek publiku dhe sjell investime të gabuara nga sistemet shëndetësore dhe në terma afatgjatë, vendimi mund të dëmtojë reputacionin e FDA-së për neutralitet shkencor.

Gjithashtu, përse u mor vendimi për t’u certifikuar në këtë moment, mbetet ende e paqartë. Nëntorin e kaluar 10 nga 11 anëtarët e FDA-së e refuzuan kërkesën për certifikimin e medikamentit, ndërkohë që edhe anëtari i njëmbëdhjetë ishte “i pasigurt”. Aprovimi i FDA-së në një kohë kaq të shkurtër tregon se nuk është studiuar me imtësi sa efektiv është Adulhemi në uljen e degradimit konjitiv. FDA duket se e ka “shpërblyer” medikamentin për shkak se arrin të pastrojë trurin nga beta-amiloidi një proteinë e cila mbetet mes neuroneve dhe ndërpret funksionimin e tyre normal.

Një hipotezë mjekësore është se beta-amiloidi nuk është një simptomë e sëmundjes së Alzheimer, por një shkak primar i saj. Megjithatë kjo mbetet një hipotezë ende e pavërtetuar shkencërisht. FDA ka urdhëruar vazhdimin e studimeve, ndonëse tashmë medikamenti ka hyrë në treg dhe ka rezervuar të drejtën që ta nxjerrë sërish jashtë përdorimi nëse rezultatet janë të pakënaqshme. Kompania që e prodhoi medikamentin, “Biogen” deklaron se i dueht një periudhë testimi prej nënte vitesh, çka do e bënte tërheqjen e medikamentit nga tregu shumë të vështirë, teksa ai do të ishte i përhapur jashtëmase.

Kostoja prej 56 mijë dollarësh në vit për trajtimin me Aduhelm do të krijojë probleme të mëdha edhe për kompanitë që ofrojnë sigurime shëndetësore. Medikamenti rekomandohet vetëm për individët që ndodhen në fazat e para të Alzheimer dhe për ta do të duhet monitorim i afërt i mjekut, për shkak se një efekt anësor i medikamentit mund të jetë enjtje e trurit. Megjithatë, në kushtet kur nuk ekziston alternativë tjetër, me miliona do të jenë ata që do të bëjnë të pamundurën për të paguar trajtimin për të dashurit e tyre.

Aprovimi i nxituar i FDA-së, gjithashtu rrezikon edhe kërcënimin e kërkimeve aktuale në lidhje me sëmundjet mendore. Aduhelmi do e bëjë më të vështirë rekrutimin e pacientëve për eksperimentim me medikamente të reja klinike si dhe monitorimin e tyre të zgjatur në kohë. Gjithashtu, mund të kanalizojë më shumë përpjekje drejt eksplorimit të hipotezës së beta-amiliodit.

Fakti që provat e deritanishme flasin kundër aprovimit të Adulhemit nuk do të thotë se kërkimet në fushën e sëmundjeve degjenerative mendore po shkojnë keq, por përkundrazi që në vitet e kaluara shtimi i intensitetit të tyre ka bërë që disa neurologë të parashikojnë zbulime të rëndësishme në këtë fushë. Po arrijnë të kuptojmë më mirë sesi rreziku për këto sëmundje ulet dhe çfarë duhet të bëjnë për të jetuar një jetë më të mirë dhe të shëndetshme. Testet e gjakut tanimë mund të na tregojnë se cilët individë janë më të rrezikuar për të përjetuar simptoma. Sipas “Pharmaprojects”, aktualisht janë 148 medikamente që po testohen klinikisht për trajtimin e Alzheimerit dhe vetëm 15% e tyre kanë të bëjnë me beta-amiliodin.

Alzheimeri mbetet një nga problemet më të mëdha shëndetësore, sociale dhe ekonomike të shekullit XXI dhe për disa neurologë çdo gjë që mund të trajtojë sëmundjen sado pak në mënyrë efektive është e mirëpritur. Ndaj edhe një pjesë e atyre që janë skeptikë përkundrejt Aduhelm-it, e kanë përshëndetur aprovimin e tij. Megjithatë, shpresa është që zgjidhja do të vijë nga shkenca dhe jo duke ulur standartet e pritshmërive tona.

Përshtatur nga “The Economist”/ tiranapost.al